Komisioni Disiplinor dhe i Etikës e ka marrë vendimin për klubin e futbollit Vushtrria për shkeljet e bëra në derbin e Ligës së Parë ndaj Lirisë në fundjavën që shkoi.
Pasi Komisioni i Garave i Superligës dhe i Ligës së Parë e bëri inicimin disiplinor, fjalën e fundit e tha Komisioni Disiplinor, i cili ka vendosur që ta gjobisë Vushtrrinë me 2.000 euro, ndërsa klubit në fjalë i është tërhequr vërejtja e fundit para suspendimit të terrenit vendës, shkruan “Gazeta Express”.
Komisioni i Garave gjeti shumë parregullsi në ndeshjen e së shtunës, ndërsa më e rënda ishte kur lojtarët dhe gjyqtarët pas ndeshjes u gjuajtën me shishe plastike të mbushura me zall, me gurë dhe me shkrepëse e sende të tjera të forta, përveç sharjeve të shumta verbale.
Me këtë rast, lojtarët prizrenas u desh të qëndronin në fushë për plot 20 minuta derisa të zbrazeshin tribunat. /Gazeta Express