Mediumi serb “Blic” raportoi sot se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi “u fsheh në Durrës” derisa homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq po realizonte vizitën e tij në Kosovë.
“Blic” shkruan se në kohën kur bashkëvendasit e Thaçit në Drenicë ia ndaluan Vuçiqit vizitën në fshatin e Banjës ku jetojnë rreth 300 qytetarë të komunitetit serb të Kosovës, presidenti i Kosovës ndodhej në Durrës për një takim me presidentin shqiptar Ilir Meta.
“I fshehur në Durrës – derisa Vuçiq vizitoi Kosovën, Thaçi takoi presidentin shqiptar”, shkruan në titullin e artikullit të saj, gazeta serbe “Blic”.
Meta, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se janë të takuar në bregdetin shqiptar në Durrës, në një drekë pune me presidentin Thaçi.
Meta ka thënë se “Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të rajonit është qëllim i përbashkët”.
“Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët”, ka thënë presidenti shqiptar.
“Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme”, ka shkruar Meta.