back to top
Wednesday, March 11, 2026
BallinaLajme“Më mbajti një orë duke më maltretuar psiqikisht”, dëshmitarët rrëfejnë se në...

“Më mbajti një orë duke më maltretuar psiqikisht”, dëshmitarët rrëfejnë se në çfarë rrethanash njohën të akuzuarin Pantiq

Të ngjajshme

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, janë dëgjuar dëshmitarët Ukshin Imeraj dhe Beslim Gashi, të cilët treguan se si dhe në çfarë rrethanash njohën të akuzuarin Pantiq.

Dëshmitari Ukshin Imeraj, tha se ishte maltretuar psiqikisht për një orë nga Pantiqi, teksa tregoi për mënyrën se si ishte takuar me të, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se në fund të muajit shtator të vitit 1998 ishin vendosë në një shtëpi te të afërmit e tij në Istog dhe se kishte për qëllim të pajisej me pasaportë.

“Sepse synimi ka qenë me shku te vëllai në Gjermani, i cili ishte atje nga viti 1995 sepse siguria ishte e keqe. Dhe, diku 5-6 ditë ka zgjat procedura e aplikimit dhe zyrtarja që ka qenë për pasaportë ma ka jep një numër dhe i kam thënë pse po ma jep, por ma ka jep këtë numër. Më tha ‘ti ki me u lajmëru në një numër tek kryeshefi i policisë Pantiqi’”, tha Imeraj.

Ai tha se objekti i Komunës atëkohë ka qenë në objekt të njëjtë me Stacionin Policor, dhe kishte shkuar tek zyra e tij.

“Duke pritë ka ardhur dhe e ka hapë një derë, dera e parë ka qenë me grila dhe dera e dytë ka qenë e izoluar me një lloj lëkure e ka hap edhe atë derë dhe ka thënë hyn brenda dhe i ka mbyllë dyert dhe e ka mbyllë edhe derën tjetër”, tha ai.

Dëshmitari tregoi se çfarë i tha tani i akuzuari pasi hyri në zyrën e tij.

“Ai është vendosë në karrige të vet, e unë në një të kuqe dhe tha a di pse të kam thirrë dhe më tha ti vjen prej Padalishtës që është zonë e luftës. Unë i thash që babain e kam të vjetër dhe i thash po du me u pajisë me pasaportë dhe më ka mbajtë një orë duke më maltretuar psiqikisht, jo fizikisht. Në momentin që është ulë në tavolinë e ka vendos një pendrek dhe e ka vendos në tavolinë për me m’bo presion”, rrëfeu tutje Imeraj.

Paraprakisht, Imeraj tregoi se ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shkonin në livadhet e Istogut, saktësisht në Stanajt e Bujupëve.

Dëshmitari deklaroi se prindërit e tij kishin shkuar në qytet nga Stanajt për të marrë bukë dhe aty, sipas tij, babai tij ishte takuar me Momir Pantiqin.

“Babai erdhi i shqetësum dhe iu bashkua grupit dhe unë e pyeta atë dhe nënën ishin të zbehur dhe aty më tregoi që e kanë taku Pantiqin. Babai ka tregu që ai ka qenë i uniformuar. I ka thënë babait “Ikni largonu nga këtu dhe vazhdoni kah ju kam thënë me shku”. I ka folë në gjuhën serbe”, u shpreh Imeraj.

I akuzuari Pantiq pyeti Imerajn për deklarimin e këtij të fundit rreth njohjes së tij, duke thënë se dëshmitari kishte deklaruar se i akuzuari Pantiq ishte zeshkan dhe 1.80 cm dhe se ka pasur rreth 45 vjet. Por, dëshmitari Imeraj tha se nuk ka përmendur formën trupore dhe as vitet.

“Kam thënë brun, përafërsisht kam thënë ndoshta 45 vjet. Me siguri e kam thënë. Po s’ja kam përcaktu. Nuk më kujtohet”, tha dëshmitari Imeraj.

Dëshmitari tjetër që u dëgjua në seancën e të martës është Beslim Gashi, i cili tregoi se si kishte gjetur trupin e pajetë të një personi të quajtur Ramë. Ai tha se bashkë me të, ishte edhe një person i quajtur Ali Gashi.

“Ramën, e kam gjetur të palum, të masakrum, ka qenë 70 e diçka vjeçar dhe ka qenë çoban, që ka ruajtur lopë, e kam gjet në vendin midis Rovice, bjeshka afër Moknes“, tha dëshmitari Gashi.

Ai tha se rastin e kanë lajmëruar në Polici, saktësisht tek komandanti Momir Pantiq.

“Po direkt te komandanti Pantiqi. Kam shku vetë i dyti, me vëllanë e viktimës i cili nuk jeton më dhe kam pyet për Pantiqin, e kam kërku dhe më kanë njoftu që është në mbledhje dhe pas 10 minutave ka dalë. Na ka pytë ku është mbytë dhe i kam tregu dhe ka thënë nuk është në territor të Istogut, por në territorin e Serbisë, Zubin Potokut. Dhe unë i kam thënë në Istog, më ka thënë nuk të intereson ty dhe m’i ka dhënë dy minuta me u zhdukë prej aty”, tha dëshmitari Gashi.

Dëshmitari tha se paraprakisht kishte dëgjuar për Pantiqin, por që nuk e kishte takuar asnjëherë. Teksa, në stacion sipas tij, Pantiqi kishte qenë me rroba civile.

Dëshmitari u pyet nga i akuzuari Pantiq nëse e kishin lëvizur trupin e viktimës, por ai tha se këtë e kanë bërë pasi nuk iu është ofruar ndihmë në Stacionin e Policisë në Istog.

“Ne vetëm i kemi largu disa degë dhe gjethe që i kanë vendosë mbi trupin e masakruar dhe e kemi pa, por me dorë s’e kemi prekë dhe kemi shkuar tek stacioni, masandej e kemi çu dhe e kemi varrosur”, shtoi tutje dëshmitari Gashi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz