back to top
Tuesday, September 16, 2025
BallinaLajmeMbrojtja thotë se Prokuroria qëllmshëm vonoi nxjerrjen e materialeve për dëshmitarët e...

Mbrojtja thotë se Prokuroria qëllmshëm vonoi nxjerrjen e materialeve për dëshmitarët e parë të tyre

Të ngjajshme

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, ka thënë se Prokuroria qëllimshëm ka vonuar në nxjerrjen e materialit lidhur me dy dëshmitarët e parë të tyre, duke përfshirë edhe ato për James Rubin, i cili dëshminë e ka filluar më 15 shtator.

Mishetiq në parashtresën e dorëzuar më 13 shtator, tha se pasi ka mbaruar paraqitjen e provave të veta, Prokuroria po angazhohet në taktika të ashpra gjyqësore në prag të paraqitjes së provave të mbrojtjes.

Aty thuhet se qëllimshëm, Prokuroria nuk i ka zbuluar disa prova për mbrojtjen në kundërshtim me obligimet e saj. Sipas mbrojtjes, kjo është bërë me qëllim për të penguar aftësinë e tyre për të paraqitur rastin e vet të mbrojtjes.

Mbrojtja thotë se më 4 korrik ka dërguar një kërkesë për zbulim të materialeve sipas Rregullës 102 (3), duke ofruar një listë prej 21 emrash të rëndësishëm në këtë rast dhe duke kërkuar zbulimin e çdo deklarate- përfshrë ato zyrtare dhe jozytare të tyre.

Mbrojtja kishte thënë se iu duhen këto materiale sa më shpejtë që jetë e mundur përpara datës 21 korrik 2025.

Midis 4 korrikut dhe 11 shtatorit 2025, ZPS-ja zbuloi rreth 500 artikuj të përcaktuar si përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtjes. Sipas mbrojtjes, gati 2/3 e këtyre artikujve u zbuluan vetëm më ose pas 29 gushtit 2025.

Kurse, më 11 shtator 2025, mbrojtja kishte njoftuar palët dhe pjesëmarrësit për rendin e deëshmitarëve për javën që fillon më 15 shtator. Sipas mbrojtjes, tri orë më vonë, Prokuroria zbuloi materiale të tjera që përmbanin 55 artikuj e që 36 prej tyre kishin të bënin me dy dëshmitarët e parë të mbrojtjes.

Më pas, 30 minuta më vonë, sipas mbrojtjes, Prokuroria kishte zbuluar edhe 30 materiale nga të cilat 25 ishin të rëndësishëm për dëshmitarin James Rubin dhe një i rëndësishëm për dëshmitarin pasues.

Më 12 shator, mbrojtja kishte kërkuar nga ZPS-ja që të konfirmojë se të gjitha materialet e zbuluara që lidhen me dëshmitarin e parë dhe të dytë kishin ardhur në posedim të Prokurorisë vetëm nga 1 shtatori 2025, duke kërkuar që në rast se ka, të tregojnë se cilat materiale i kanë pasur në dispozicion para 1 shtatorit.

Sipas mbrojtjes, përgjigja e Prokurorisë zbulon se ajo ka shkelur obligimin e saj për të zbuluar pa vonesa materialet për mbrojtjen.

Po ashtu, mbrojtja tha se Prokuroria kishte këmbëngulur se 24 nga 36 artikujt që lidhen me dy dëshmitarët e parë ishin të disponueshëm publik dhe dy të tjerët riprodhonin informacione që ishin publike.

“Më pas ZPS-ja konfirmoi se 24 nga artikujt e disponueshëm publikisht ishin marrë që nga 1 shtatori 2025, dhe 10 të tjerët ishin marrë midis 19 dhe 26 gushtit 2025. Dy artikujt që riprodhojnë informacion të disponueshëm publikisht janë ekstrakte të raporteve nga artikuj të tjerë që ishin në posedim të ZPS-së përpara 4 korrikut 2025, por ekstraktet e lidhura më pas u regjistruan më 26 gusht 2025”, thuhet në dokument.

Mbrojtja pretendon se ndonëse këto dokumente ishin në posedim të Prokurorisë, ato nuk u nxorën me kohë për mbrojtjen.

“Mbajtja fshehur e informacionit të zbulueshëm deri një ditë pune para dëshmisë së 1DW-003 dhe katër ditë pas përfundimit të seancës së përgatitjes së tij pengon në mënyrë materiale aftësinë e Mbrojtjes për t’u përgatitur. Sipas çdo matësi, ky vonim është një shkelje e kërkesës në Rregullën 102(3). ZPS-ja e mbajti fshehur zbulimin me qëllim të përfitimit të një avantazhi procedural. Për shembull, ZPS-ja e pyeti gjerësisht 1DW-001 lidhur me angazhimet e tij me Kosovën dhe përfaqësuesit e qeverisë kosovare që nga viti 1999. Këto lidhje dhe puna e 1DW-001 përshkruhen në disa nga dokumentet e zbuluara në Pakon e Zbulimit 1773, përfshirë SPOE00393245-00393267, SPOE40010609-40010632, SPOE40010633-40010643, SPOE40010668-40010708, SPOE40010718-40010719. Të gjitha përveç njërës nga këto artikuj ishin në posedim të ZPS-së më 19 gusht 2025; tjetri ishte marrë më 26 gusht 2025. Të gjitha u përdorën si bazë për të pyetur 1DW-001 më 2 shtator 2025. Asnjë nuk u zbulua deri më 11 shtator 2025”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja më parë i ka thënë trupit gjykues se është në gjendje të identifikojë informacionin e disponueshëm publikisht, ta arkivojë dhe ta zbulojë atë brenda më pak se 24 orëve.

Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se moszbulimi i qëllimshëm nga ana e ZPS-së i materialeve që lidhen me dëshmitarët e mbrojtjes për disa javë është taktik.

Dy  ditë më parë, më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz