Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bën të ditur se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë: 7,482 zyrtarë publikë ose 72.32% kanë përfunduar deklarimin, 1,394 ose 13.48% janë në proces dhe 1,469 ose 14.20% nuk e kanë filluar fare deklarimin.
“Nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar, mbi 1,400 ende mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shkeljen e afatit ligjor.
Tri ditët në vijim janë vendimtare. Çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.
“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional – është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon – veproni tani”, citohet në komunikatë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Agjencia rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë, përveç mostransparencës dhe llogaridhënjes ndaj publikut, përbëjnë edhe shkelje të drejtpërdrejta të obligimeve ligjore dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë masa administrative dhe procedura penale.
APK mbetet në dispozicion për mbështetje teknike dhe sqarime gjatë gjithë periudhës, por thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë është individuale dhe e pa transferueshme.