Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se nga sot është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përmes platformës e-Kosova.
Për vitin shkollor 2025/2026, MAShTI do të ndajë 80 euro për çdo nxënës të klasave I deri në V për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe 80 euro për nxënësit e klasave VI deri në IX për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve shtesë, transmeton lajmi.net
Tekstet shkollore për nxënësit e klasave VI–IX do të përdoren nga gjeneratat e mëparshme, në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 13/2016, një praktikë kjo e vazhduar edhe nga vitet e kaluara.
Ministria ka bërë të ditur se këtë vit procesi i aplikimit është thjeshtuar ndjeshëm, pasi llogaritë bankare të prindërve janë ruajtur nga aplikimet paraprake. Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogaritë e prindërve, siç është vepruar edhe në dy vitet e fundit.
Gjithashtu, Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar në kohë dhe çdo aplikim do të verifikohet nga shkolla përkatëse përpara se të kryhet pagesa./lajmi.net/