Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili pesë vite më parë ka nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit bashkë me Presidentin amerikan, Donald Trump, ka shkruar në lidhje me këtë arritje të cilën e quan historike për Kosovën.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje, krijonte mundësi unike për fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore.
Ai ka thënë se nëse do të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike në rajon dhe përtej me Fushë-Kosovën si port i thatë tregtar që do të lidhte portet e Durrësit dhe të Selanikut, për të vazhduar në veri për Evropën Qendrore.
Ai ka shtuar se në aspektin politik, marrëveshja solli njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën disa-vjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke e avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, ka thënë Hoti.
Ai ka treguar se çka është realizuar në muajt shtator 2020-mars 2021 gjatë Qeverisë Hoti.
Postimi i tij i plotë:
Sot bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore.
Po të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike (përmes gazit) në rajon dhe përtej, me Fushë-Kosovën si port i thatë tregtar që do të lidhte portet e Durrësit dhe të Selanikut, për të vazhduar në veri për Evropën Qendrore. Në aspektin politik, marrëveshja solli njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën disa-vjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke e avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare.
Çfarë është realizuar në muajt shtator 2020 – mars 2021 në Qeverinë Hoti?
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës e ka miratuar planin e zbatimit. Gjatë periudhës së shkurtër të Qeverisë Hoti, janë realizuar disa pika, e disa të tjera kanë nisur së zbatuari:
1. Ministria e Infrastrukturës ka diskutuar gjerësisht me DFC (dhe BE) për këto projekte: vazhdimin e autostradës për Merdarë; lidhjen e autostradës për Durrës me autostradat për Shkup, Gjilan dhe Luginë të Preshevës përmes segmentit Shtimje-Duhël; studimin e para-fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte të tjera.
2. Ministria e Brendshme ka funksionalizuar pikën kufitare në Merdarë.
3. Ministria e Arsimit ka bërë përgatitjet për takimin e Qendrave NARIC Kosova dhe NARIC Serbia për njohjen reciproke të diplomave.
4. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka punuar me ekspertët amerikanë në studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i cili është finalizuar në qeverinë pasuese.
5. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, KOSTT dhe ZRRE kanë miratuar këto projekte për diversifikimin e energjisë në kuadër të MCC-së: gazsjellësi Kosovë–Maqedoni e Veriut; rrjeti i furnizimit me gaz në Kosovë; zgjerimi i ngrohjes qendrore; energjia e ripërtëritshme; mbështetja e konsumatorëve të energjisë që vetë e prodhojnë energjinë; investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në rajonin e Podujevës, Malishevës dhe disa rajoneve të tjera.
6. Më 23 tetor 2020, me Nënsekretarin për Ekonomi, Energji dhe Ambient të SHBA-ve, është nënshkruar memorandumi për sistemin 5G.
7. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurinë e pajisjeve të teknologjisë 5G, në përputhje me standardet e vendosura nga SHBA.
8. Në fushën e komunikacionit ajror, Ministria e Brendshme ka instaluar pajisjet që i përmbushin standardet ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit, sipas Rezolutave të OKB-së 2178 dhe 2396. Ministri i Brendshëm e ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ dhe janë testuar pajisjet për sigurinë e të dhënave.
9. Në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të lirive fetare është përgatitur projektligji i ri dhe është krijuar grupi ndërministror për analizimin e gjendjes sa i përket pasurisë së komunitetit hebre, e cila ende nuk është trashëguar apo kërkuar.
10. Për personat e pagjetur, janë marrë zotime për të punuar në gërmime vlerësuese në disa lokacione, për të shqyrtuar databazat e organizatave ndërkombëtare dhe për qasje në informacione në Serbi.
11. Janë marrë veprime për të shpallur si organizata terroriste ato që konsiderohen të tilla nga SHBA.
12. Më 21 shtator 2020, është nënshkruar deklarata e përbashkët me DFC-në për të përshpejtuar nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
13. Rrjedhimisht, më 31 dhjetor 2020, në afat rekord, është nënshkruar Marrëveshja për Nxitje të Investimeve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
14. Janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin./Lajmi.net/