Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë arritur një marrëveshje të re për emigracionin, e cila parashikon që emigrantët në Francë të mund të aplikojnë për vizë për të hyrë ligjërisht në Britani, teksa shqyrtohet kërkesa e tyre për azil.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Ministria e Brendshme britanike, aplikantët që plotësojnë kriteret do të marrin leje hyrjeje për një periudhë maksimale prej tre muajsh, pasi të kenë dorëzuar aplikimin online. Gjatë kësaj kohe, atyre do t’u ndalohet puna, studimi dhe nuk do të kenë akses në fonde publike.
Megjithatë, shumë pyetje rreth skemës mbeten ende pa përgjigje, përfshirë ajo se ku do të strehohen emigrantët gjatë qëndrimit të përkohshëm dhe çfarë do të ndodhë nëse aplikimet e tyre refuzohen më vonë. Ka shqetësime se ata mund të përfundojnë në hotele të financuara nga shteti, me kosto të lartë për taksapaguesit britanikë.
Skema “një brenda, një jashtë”
Marrëveshja funksionon mbi parimin “një brenda, një jashtë”, që do të thotë se numri i emigrantëve të pranuar nga Franca do të kufizohet në të njëjtin numër me ata që do të dëbohen nga Britania dhe do të rikthehen në Francë. Megjithatë, Ministria e Brendshme ende nuk ka përcaktuar një kufi të saktë numerik për këtë shkëmbim.
Një raport paraprak sugjeron se vetëm rreth 50 emigrantë në javë do të mund të rikthehen në Francë, çka do të thotë se në total do të jenë rreth 2,350 përpara se marrëveshja të skadojë në qershor të vitit të ardhshëm. Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me mbi 25,000 migrantë që kanë mbërritur në Britani me gomone që nga fillimi i këtij viti, një rritje me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kritikat dhe reagimet
Sekretari në hije për Punët e Brendshme nga Konservatorët, Chris Philp, kritikoi marrëveshjen duke e quajtur “një derë të hapur” për emigracionin ilegal. Ai shprehu shqetësime se nuk është e qartë se si do të menaxhohen rastet kur kërkesat për azil refuzohen, apo nëse Britania do të jetë në gjendje të dëbojë emigrantët e refuzuar në Francë, për shkak të sfidave ligjore.
Nga ana tjetër, organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve janë shprehur se marrëveshja është jo humane dhe e papranueshme. Steve Valdez-Symonds nga Amnesty International UK deklaroi se kjo skemë trajton refugjatët si “pako që transferohen” dhe paralajmëroi sfida ligjore kundër saj.
Sakaq, Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper, në një intervistë për BBC Radio 4, tha se qeveria nuk do të publikojë shifra të sakta të atyre që do të kthehen në Francë, me arsyetimin se kjo mund të ndihmojë grupet kriminale të kontrabandës së njerëzve. Megjithatë, ajo premtoi transparencë të vazhdueshme për numrin e emigrantëve të ndaluar dhe të rikthyer.
Cooper theksoi se emigrantët që vijnë ilegalisht me gomone mund të përzgjidhen për këtë skemë të re dhe të vendosen në qendra ndalimi, ndërkohë që kërkesa e tyre për azil shqyrtohet.
Marrëveshja aktuale midis Britanisë dhe Francës është e vlefshme deri në fund të qershorit 2026, me mundësi rinovimi.