Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, do të udhëtojë javën e ardhshme në Meksikë dhe Ekuador, ka njoftuar Departamenti i Shtetit përmes një deklarate zyrtare.
Vizita vjen në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump synon të përforcojë përpjekjet për të luftuar emigracionin e paligjshëm drejt ShBA-së, të godasë kartelet e drogës dhe të zvogëlojë ndikimin e Kinës në rajonin e Amerikës Latine.
Rubio, sekretari i parë latino-amerikan i Shtetit, e ka kthyer vëmendjen e diplomacisë amerikane në rajon që nga marrja e detyrës. Kjo vizitë është e fundit në një sërë angazhimesh në Amerikën Latine, pasi më herët këtë vit vizitoi disa vende të Amerikës Qendrore dhe Karaibeve në udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë vendit si diplomat i lartë amerikan. Ai u rikthye përsëri në Karaibe në mars, në kuadër të strategjisë për të ripërtërirë angazhimin e ShBA-së në rajon.
Sipas Reuters, vizitat e Rubios konsiderohen kyçe në përpjekjet amerikane për të rritur bashkëpunimin me aleatët rajonalë për çështje të sigurisë, emigracionit dhe sfidave ekonomike që lidhen me ndërhyrjet kineze.