Maran tregon pse i la lojtarët vendas jashtë listës

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka shpjeguar zgjedhjet e tij për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.
Italiani ka bërë të ditur se në listën e grumbulluar ka pasur ndryshime në minutat e fundit, ndërsa ka paralajmëruar se lojtarët që aktivizohen në kampionatin shqiptar do të kenë mundësinë të ftohen në të ardhmen.
Maran u ndal edhe te aktivizimi i lojtarëve të rinj, duke theksuar se Shqipëria ka më pak alternativa në këtë aspekt krahasuar me kombëtaret e tjera.
“Kam zgjedhur t’i besoj këtij blloku. Kampionati shqiptar ka lojtarë të veçantë dhe shpresoj t’i grumbulloj në ndeshjet e tjera. Shumë shpejt do të shohim edhe lojtarë të rinj të grumbullohen”, deklaroi Maran.

Lexo edheZyrtare: Kjo është lista e Kombëtares Shqiptare për ndeshjet e shtatorit
Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet përfundimi në vendin e parë në Ligën e Kombeve.
“Kemi sjellë lojtarë të rinj si Sina, por në këtë rast ka rëndësi rezultati. Mund të jemi pak të limituar krahasuar me kombëtaret e tjera që kanë shumë opsione”, u shpreh trajneri kuqezi.
Maran shtoi se interesi për lojtarët e rinj është i qartë, por sipas tij duhet të krijohen edhe kushtet e duhura për grumbullimin e tyre me Kombëtaren.














