Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri i ka dalë në mbrojtje deputetit të kësaj partie Arben Gashi, i cili së fundi u përfshi në incident me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Haziri e ka quajtur nënkryetarin e PDK’së Xhavit Halitin, ‘gropë’ politike.
“Arben, ti je shembull i përfaqësimit. Kujdes nga ‘gropat’ politike prej atyre që kanë fillu me u paketu për opozitë”, shkruan Haziri në Facebook.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti sot ka shtyer me trup deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashin, ku për pak ka rezultuar me përplasje fizike.
Haliti e shtyu Gashin, por deputetët e tjerë shmangën një përkeqësim të situatës.
Përplasja me tyre ka nisur që ditën e djeshme, kur Haliti nuk ia kishte dhënë fjalën Gashit e që më pas të dy kishin eskaluar duke e fyer njëri-tjetrin.
Haliti për mediat tha se vetëm kishte rrëshqitur, pa pasur në plan të sulmonte Gashin.
“Kurgjo vallahin, asnjë përplasje s’kemi pas. Po rreni ju kapak. Jo vallahin veç kam rrshit. As s’kemi kurgjo, dje kemi debatu. Kom rrshit edhe e kom prek pak”, ka thënë Haliti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas konsultimit me shefat e grupeve parlamentare, deklaroi se janë pajtuar që situata e sotme të mos përsëritet më, ndërsa pohoi se do të marrin masa sipas rregullores.
Veseli kërkoi mirëkuptimin e deputetëve që të tejkalohet kjo situatat dhe të harrohet.