Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar sërish ndaj shefit të kabinetit të ish kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit.
Lushtaku shkruan:
Unë si përfaqësues i popullit, asnjëherë nuk e helmoj opinionin publik me gënjeshtra, përkundrazi çdo herë kujdesem t’i demaskoj ata të cilët nuk punojnë në të mirë të vendit dhe çdo herë bazohem në informata të sakta.
Shefi i kabinetit të ish Kryeministrit Kurti në përgjigjen e tij rreth deklaratave të mija të bëra sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e paska pranuar atë që thashë unë, vetëm se qenka munduar që ta relativizoj si një “ngjarje normale”.
Atëherë, kush gënjeu këtu? Ose më mirë të themi, kush paska fshehur? Pse ky takim nuk u bë transparent më herët?
Kot, nuk mund të luash heroin e të fshihesh pas pandemisë, ndërkohë që i bën nder Serbisë!
Edhe me skandaloze se takimi i tij është përmendja e “Korridorit të Gjelbërt” që përbën një vazhdimësi të idesë së ish Ministrit të Kurtit, z. Blerim Reka, për t’i ofruar Serbisë dalje në detin Adriatik.
A është ky kompromisi i z. Kurtit për marrëveshjen e fshehtë me Serbinë dhe premtimi i tij ndaj Lajçakut?
Ndryshe, kjo ishte deklarata e Lushtakut sot në Kuvend:
“Sa i ka kushtuar Haki Abazit blerja e postit të zëvendëskryeministrit nga Albin Kurti? Me cila para i kishte blerë ato në zyrën e kryeministrit, kjo ishte njëra ndër pyetjet për zotin Abazi. Po ashtu i bëj thirrje prokurorisë që të thërrasë presidentin zotëri Hashim Thaçi për të dhënë më shumë informata në lidhje me takimin e z. Abazi me zyrtarë të BIA-s në Kapaonik. E dimë shumë mirë që i njëjti si zëvendëskryeministër, por bashkë me Luan Dalipin shef i kabinetit të ish-kryeministrit Albin Kurti, e ka bërë një takim me përfaqësues të kabinetit të Marko Gjuriq i cili dihet shumë mirë që edhe nga qeveria e kaluar janë pranuar edhe 1000 teste”, deklaroi Lushtaku.