Rihapja dhe lehtësimi i masave në Kosovë është shoqëruar me rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19.
Për këtë situatë ka folur në Euronews Albania mikrobiologu i njohur, Lul Raka.
Ai fillimisht komentoi rastin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili është vetëizoluar pasi një zyrtar i ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19.
Raka theksoi se rezultatet e testit për Kurtin dhe zyrtarët e tjerë pritet të dalin sonte në mbrëmje.
“Rezultatet e analizave të kryeministrit dhe stafit të tij priten sot në mbrëmje nga ora 20:00- 22:00. Nuk e di sa persona janë. Janë disa përfaqësues edhe tek ministria e Integrimeve Europiane, ministri me stafin e vet dhe po ashtu edhe nga stafi i kryeministrit. Numrin e saktë nuk e di”, shtoi.
Ai tha se me lehtësimin e masave janë shtuar paralelisht edhe rastet e të infektuarve.
Mikrobiologu, u shpreh se rritja e rasteve vjen pasi qytetarët kanë bërë dalje të pakontrolluara, duke thyer kështu rregullat e diktuara nga institucionet përkatëse për ruajtjen e distancës fizike.
“Trendi i javës së fundit u përmbys ditën e mbrëmshme, ku kishim 14 raste të reja. Deri mbrëmë kishim shifra një shifrore. Kjo shpjegohet me faktin se me 4 maj janë bërë lehtësimet e masave në Kosovë dhe ka pasur një dalje të pakontrolluar dhe masive të qytetarëve të Kosovës dhe kjo është reflektuar. Tani do ta shohim sonte se si do të shtrihet situata epidemiologjike. Pas lehtësimit të masave është e pritshme të ketë një rritje të lehtë”.
Mes tjerash, mikrobiologu nënvizoi se masat e ndërmarra në muajin e kaluar e kanë dhënë efektin e tyre dhe kjo faktohet tek fluksi i menaxhueshëm në Klinikën Infektive.
Ai i bëri thirrje ministrisë së Shëndetësisë të fillojë me kryerjen e testeve serologjike.
“Masat që janë marrë në muajin e kaluar kanë dhënë rezultate dhe është arritur qëllimi, i cili ka qenë mbajtja nën kontroll e fluksit. Çfarëdo mosrespektimi i masave ndikon në përkeqësimin e situatës. Teste serologjike nuk kanë nisur ende, por unë besoj se duhet të sigurohen nga ministria dhe të nisë testimi masiv”.