Selena Gomez ka folur hapur për lidhjen e saj me producentin Benny Blanco, i fejuari i saj, duke pranuar se kurrë nuk e kishte menduar si partner.
Gjatë një interviste në podcastin Therapuss me Jake Shane, këngëtarja dhe aktorja 33-vjeçare rrëfeu se e pati takuar Bennyn për herë të parë kur ishte vetëm 16 vjeç.
“U takuam kur isha 16 vjeç sepse mund të punonim së bashku, por nuk fillova të publikoj muzikë deri në moshën 17-18, dhe thjesht shiheshim herë pas here.”, tregoi ajo, raporton FemaleFirst.
Në fillim, Selena ishte shumë e distancuar nga Benny.
“Ishte bukur, por nuk e di … më dukej thjesht si një i njohur, nëse ka kuptim. Nuk ishim miqtë më të ngushtë. Mendoja që ishte i sjellshëm dhe kaq. Nuk kam menduar asnjëherë se do të jem në lidhje me të.”, shtoi ajo.
Gomez dhe Blanco bashkëpunuan në disa projekte muzikore, përfshirë hitet “Same Old Love” dhe “I Can’t Get Enough” me Tainy dhe J Balvin.
“Edhe atëherë nuk ndodhi asgjë. Nuk e shikoja fare në atë mënyrë.”, tha Selena.
Megjithatë, me kalimin e viteve, diçka ndryshoi. Ajo shpjegon se gjithçka kishte të bënte me kohën e duhur dhe pjekurinë emocionale.
“E kupton kur nuk je më në një vend ku duhet të jesh? Duhet të jesh aty ku je. Ka të bëjë me kohën e duhur për ta takuar atë person. Edhe sikur të kisha menduar ‘duhet ta çoj një hap më tej’, nuk do të kishte funksionuar. Thjesht duhet të jesh aty mendërisht që të ecësh përpara me diçka të shëndetshme.”, shpjegoi këngëtarja.
Rikthimi i tyre ndodhi gjatë punës për këngën “Single Soon”, e cila sipas Gomezit nuk ishte përvoja më e mirë muzikore që kanë pasur së bashku.
“Nuk ishte e preferuara jonë… dhe mund ta them këtë sepse do të martohem me të. Thjesht nuk ishte ajo që mendoja se doja.”, tha ajo.
Por pikërisht gjatë asaj kohe, një bisedë ndryshoi gjithçka: “Ai erdhi, dhe unë thashë ‘Oh, përshëndetje Benny’, dhe folëm për dy orë. I kërkova të më prezantonte me dikë që e njihte dhe që ishte simpatik, dhe ai më tha: ‘Ah, ne shkojmë shpesh nëpër darka. Duhet të vish ndonjëherë’… dhe ja ku jemi sot, jemi në lidhje.”, rrëfeu Selena.