Shkruan: Abit Hoxha
Dëshmia e James Rubinit është veçanërisht e rëndësishme për mbrojtjen e Thaçit dhe të tjerëve në procesin e Hagës, e poaq e rëndësishme edhe për historinë e Kosovës. Ndoshta, paqëllimshëm, James Rubini po e rishkruan historinë e Kosovës duke hedhur dritë mbi aspekte të padëgjuara apo të harruara nga publiku kosovar.
Në dëshminë e tij, Rubini evokon se çfarë fati pati Kosova që nga suprimimi i autonomisë e deri në përfundimin e luftës në vitin 1999. Jo vetëm ne, por është pothuajse e pabesueshme se si u ‘rreshtuan planetet’ me personat e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për t’i marrë vendimet e duhura.
Dhe James Rubini është njëri ndër ta. Në mesin e tyre është edhe Hashim Thaçi bashkë me Krasniqin, Veselin e Selimin. Edhe Ramush Haradinaj gjithashtu. Kosova vërtet është vendi me fatin më të madh të shekullit. Le të kujtojmë këtu ndodhitë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Ruandë, vetëm 4-5 vjet më herët, dhe mënyrën si u përgjigj bashkësia ndërkombëtare.
Një tjetër dimension që shpaloset është edhe ai për lidershipin në Kosovë, periudha e të cilit po përfundon, që mision e qëllim e pati suksesin e Kosovës dhe shtetformimin. Lidershipi i asaj kohe përtypi krenarinë dhe dinjitetin në emër të bashkëpunimit me njëri-tjetrin në shërbim të arritjes së qëllimit të përbashkët.
Është gati e pabesueshme se si lidershipi i atëhershëm manifestoi një sens aq strategjik mbi politikën ndërkombëtare, duke pasur edhe imagjinatën për shtetin e ardhmë të Kosovës. Bashkëpunimi i tyre me bashkësinë ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe navigimi nëpër ngjarje diplomatike me liderët më të spikatur të kohës, është absolutisht fascinues.
Le të shtohet këtu edhe rrethana që ka pasur edhe presione shantazhuese nga brenda. Kishte dhe ka qarqe të tilla që aludonin se bash kjo elitë që udhëhoqi luftën ishte e padenjë dhe se do të ishte më mirë sikur të kishte qëndruar si mësues historie “diku në Drenicë”.
Lidershipi që është nën akuza nga Gjykata Speciale, si Thaçi, Krasniqi, Selimi, Veseli, ka qenë për një kohë të gjatë nën presion të hatashëm për punën e tyre, motivin për organizimin dhe pjesëmarrjen në UÇK, apo edhe për motivet e tyre për politikat e pasluftës.
Për kohën e paraluftës, më së miri e ilustron një thënie e Rexhep Selimit se ai e filloi luftën si ushtar i Adem Jasharit dhe e përfundoi atë si ushtar i Wesley Clarkut. Po kështu, të tjerë që ishin pjesëtarë të UÇK-së e filluan luftën si vëllëzër të Shkëlzen Haradinajt, vazhduan si kontakte të CIA-s dhe përfunduan si liderë politikë në Kosovën e pasluftës.
Trajektorja e tillë nuk ka qenë publike edhepse kishte indikacione të tilla. Sidomos për vendimin e UÇK-së për të mos përshëndetur me grusht si dhe për dëbimin e disa vullnetarëve nga vendet e dyshuara për terrorizëm.
Këto dy veprime, sipas të gjitha gjasave, ishin rekomandime për lidershipin e UÇK-së nga kontaktet e Ramush Haradinajt.
Padrejtësisht, lidershipi i UÇK-së shumë shpesh është kritikuar dhe përqeshur për mungesë shkollimi apo leximi. Një përqeshje e tillë që e bënte vetë kryekuvendari Dimal Basha flet për shkurtëpamësinë e kundërshtarëve të lidershipit të UÇK-së. Ndërsa, zoti Haradinaj heshti dhe nuk i dha farë rëndësie përqeshjeve të tilla.
Shumë vetë duke akuzuar UÇK-në për prapambeturi, prejardhje rurale e mungesë të edukimit formal, në fakt, veçse e kanë përshfaqur deficitin e tyre patriotik dhe shtetformues. Brenga kryesore e tyre, mbi të cilën ngrihej kjo ‘kritikë’, ishte fakti se u prodhua një vetëdije shtetformuese nga udhëheqësia e UÇK-së.
Këto përqeshje janë bërë nga ajo që filozofi Gjerman Walter Benjamin e quante ‘pavetëdijshmëri optike’ (das optische Unbewusste), ku disa aspekte nuk kapen dot nga syri i njeriut por zbulohen vetëm nga teknologjia e re, në këtë rast nga dëshmitari Rubin.
Si është e mundur që një grup i vogël njerëzish “të pashkollë e fshatarë” që paskan pasur “vetëm një libër” në shtëpi, të prodhonin vetëdijen më të sofistikuar shtetformuese në historinë e Kosovës?
Si është e mundur që kjo vetëdije u ekzekutua me kaq precizitet sa të dilte jashtëzakonisht e sukseshme?
Si është e mundur që një grup i tillë ka lexuar marrëdhëniet ndërkombëtare më mirë sesa kushdo tjetër sot?
Këto janë pyetjet e rëndësishme dhe përgjigjja po jepet edhe në dëshmitë e mbrojtjes në akuzat kundër Thaçi dhe të tjerëve.
Sipas të gjitha gjasave, libri i vetëm i Ramushit ka qenë një doracak si të krijohet një ushtri dhe të bashkëpunohet me CIA-n dhe NATO-n në interesin e vendit.
Për kohën, ky libër ishte më i rëndësishmi dhe në faqet e tij ishte çelësi i suksesit.
Me apo padashje, dëshmia e James Rubinit do të mbetet si pjesë e rëndësishme e historisë moderne në Kosovë.
Si e tillë, ajo do të duhej të futej në kurrikulat e së paku shkollave të mesme dhe testin e shtetësisë së Kosovës.
“Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin vetëm autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e asnjë institucioni apo organizate.”