Ylli në ngjitje i R&B, Leon Thomas, po jeton një moment kulmor në karrierë. Pas dy çmimeve Grammy Awards të fituara së fundmi, ai ka kaluar nga producent në prapaskenë për emra si Drake dhe Ariana Grande, në një artist solo me ndikim dhe prezencë të fuqishme skenike.
Një nga momentet më surrealë për të ndodhi në festivalin Coachella, kur legjenda e funk-ut George Clinton i dhuroi një kapelë të personalizuar para performancës së tij. Në atë skenë, Thomas interpretoi hitin e tij Mutt dhe një version të këngës ikonike Atomic Dog, duke e ndjerë sikur një brez i ri po merrte stafetën nga të mëdhenjtë.
Që prej publikimit të albumit Mutt, ai ka kaluar në një fazë të re: nga bashkëpunëtor në një artist të kërkuar dhe të vlerësuar. Ai ka punuar me figura të mëdha si Stevie Wonder dhe Mariah Carey, ndërsa në vitin 2024 fitoi një Grammy për bashkëautorësinë e hitit Snooze të SZA.

Megjithatë, për Thomas nuk ekziston një formulë suksesi. Ai beson se momentet e mëdha lindin rastësisht dhe nuk mund të riprodhohen me qëllim. Këngët e tij dallohen për refrene që mbeten gjatë në mendje, një aftësi që ai e zhvilloi nën mentorimin e Babyface.
Në aspektin muzikor, Thomas synon të rikthejë frymën e performancës live dhe energjinë e yjeve si Prince dhe Jimi Hendrix. Një ndikim i madh për të ka qenë edhe D’Angelo, për mënyrën si ndërthurte rock-un me funk-un.
EP-ja e tij Pholks shkon në këtë drejtim, duke eksperimentuar me tinguj psikedelikë dhe solo kitareje – diçka që ai dëshiron ta rikthejë në R&B, sidomos në një epokë ku muzika rrezikon të bëhet lehtësisht e riprodhueshme nga inteligjenca artificiale.
Rrënjët e tij muzikore janë të thella. I rritur në Brooklyn, ai u ndikua nga rock klasik si Led Zeppelin dhe The Rolling Stones, por edhe nga soul-i i Marvin Gaye dhe Alicia Keys. Familja e tij ishte pjesë e Black Rock Coalition, që sfidonte stereotipet për muzikën rock të artistëve zezakë.


Karrierën e nisi si aktor fëmijë, duke luajtur në Broadway dhe më pas në serialin Victorious. Pas përfundimit të tij, ai pati vështirësi të largohej nga imazhi i adoleshentit dhe të gjente identitetin e tij artistik. Por me kohë, përmes punës dhe durimit, ai ndërtoi një stil të vetin.
Një element interesant i muzikës së tij është “personazhi doggie” – një figurë që përfaqëson një njeri të ndjeshëm që përpiqet të sillet si joshës pas një zemre të thyer. Siç thotë vetë ai, një zemër e thyer mund ta kthejë dikë në një “Casanova të keq”.
Në skenë, Thomas përzien vetëbesimin me ndjeshmërinë. Ai beson se këto dy ekstreme janë thelbësore për artin e tij. Megjithatë, ai e di se R&B është një zhanër kërkues, ku publiku pret shumë dhe standardet janë të larta.
Në koncertet e tij, ai përpiqet të mishërojë trashëgiminë e këtyre ikonave. Nga solo energjike në kitarë deri te baladat emocionale, performancat e tij tregojnë një artist që kërkon të ndërtojë urë mes brezave.
Kur ndien presionin, ai kujton mbështetjen e Stevie Wonder, i cili e ka inkurajuar të vazhdojë dhe të qëndrojë besnik ndaj muzikës së tij. Për Thomas, rruga nuk është e lehtë, por ai është i bindur se arti i mirë do të mbijetojë.
Në fund, filozofia e tij është e thjeshtë: merr rreziqe, argëtohu dhe mos u shqetëso gjithmonë nëse të kuptojnë menjëherë. Sepse, siç duket, është pikërisht kjo qasje që po e çon drejt majës. /GazetaExpress/