Kush është ‘Burimi’, shqiptari i GTA VI?

Një personazh me emrin Burim po komentohet nga lojtarët shqiptarë pas publikimit të Grand Theft Auto VI. Ai shfaqet në misionin “Day Release”, ku e ndihmon Lucian të heqë byzylykun elektronik që ia monitoron lëvizjet. Mattia e prezanton si njeriun që mund ta zgjidhë këtë punë, ndërsa Burimi e kontrollon pajisjen dhe ia heq.
Pikërisht ky rol ka nxitur një teori mes fansave: a mund të jetë Burimi një referencë e fshehtë për Arion Kurtajn, hakerin me origjinë shqiptare që në vitin 2022 depërtoi në sistemet e Rockstar Games dhe publikoi rreth 90 video nga GTA VI, kur loja ishte ende në zhvillim?
Ngjashmëria që po përmendet lidhet me teknologjinë: në lojë, Burimi merret me një pajisje elektronike monitorimi; në jetën reale, Kurtaj u bë i njohur për hakimin e sistemeve të Rockstar-it dhe nxjerrjen e materialeve të papublikuara të lojës.
Ai përdori pajisje elektronike për të kryer sulmet, përfshirë një telefon dhe një Fire Stick, sipas Shërbimit të Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Lexo edheFuegos i mungon Olechka: Kam lënë hapësirë që të sqarohemi jashtë BBVK-së
Edhe koha e ka bërë teorinë më tërheqëse: Kurtaj pranoi fajin për sulmin ndaj Rockstar-it më 16 nëntor, vetëm tri ditë para publikimit të lojës. Ndërkohë, në disa pamje të GTA VI dëgjohet edhe gjuha shqipe në sfond, një tjetër detaj që ka shtuar diskutimet për praninë shqiptare në lojë.
Megjithatë, kjo mbetet vetëm një teori e fansave. Rockstar Games nuk ka konfirmuar se personazhi Burim është frymëzuar nga Arion Kurtaj, ndaj ngjashmëria mes tyre mund të jetë edhe rastësi.



