Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.
ZKM në lidhje me këtë takim, ka thënë se Kurti dhe Peleshi kanë theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona.
“U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian”, ka njoftuar ZKM.
Kurti ka thënë në atë takim se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve.
“U ritheksua se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbetet prioritet strategjik dhe një garanci e rëndësishme për stabilitetin, zhvillimin dhe mirëqenien në rajon”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Lajmi.net/