Kurti pritet në parlamentin e Nordrhein-Westfalen gjatë vizitës në Gjermani

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në parlamentin e Nordrhein-Westfalen në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Gjermani.
Sipas njoftimit, Kurti fillimisht është mirëpritur nga zëdhënësi i Komitetit Kryesor nga SPD, Hartmut Ganzke, dhe kreu i Komitetit për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare, Stefan Engstfeld. Më pas, ai është takuar edhe me shefin e Grupit Parlamentar të SPD-së, Jochen Ott.
Gjatë takimeve, Kurti ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka folur për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë parlamentare.
Në takim është diskutuar edhe për mërgatën si urë lidhëse për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe për infrastrukturën dhe mobilitetin, me theks te rëndësia e aeroporteve rajonale.
Temë e diskutimeve kanë qenë edhe arsimi, me theks të veçantë mundësitë për programe bursash dhe shkëmbime.

Lexo edheRamush Haradinaj do të jetë kandidat për deputet, thotë Ramadani
Kurti ka folur po ashtu për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, duke theksuar se Nordrhein-Westfalen është rajoni kryesor energjetik dhe industrial në Gjermani.
Ai është shkruar edhe në Librin e Artë të Parlamentit të Nordrhein-Westfalen, i paraparë për nënshkrime nga mysafirë të rangut të lartë që vizitojnë këtë institucion.














