Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas nuk është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkak të vendimit të vendeve të BE-së për të mos e takuar atë në zyrën e tij.
Rohde e konfirmoi se Kurtin në zyrën e tij s’e takoi as ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, e cila është edhe kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Kaja Kallas nuk është takuar me Kurtin në qeveri për shkak të kësaj. Mendoj që vendet e tjera jo të BE-së e ndjekin të njëjtën qasje”.
“Duhet ta pyetni qeverinë por kemi pasur vizitën e përfaqësueses së OSBE-së [Elina Valtonen] që u takua me presidenten Osmani por jo me kryeministrin në detyrë, e për këtë duhet ta pyetni qeverinë”, tha Rohde në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se nëse Kosova dëshiron të jetë anëtare e organizatave euro-atlantike, është gjithmonë mirë që të ketë komunikime të drejtpërdrejta dhe jo t’i bllokojë ato.
“Nëse dëshironi të jeni anëtar të organizatave euro-atlantike është gjithmonë mirë që të keni komunikime të drejtpërdrejta dhe jo të t’i bllokoni komunikimet ose ta lëshoni këtë shans sepse ato nuk janë arsye të mos vijnë në zyrë”.
“Fakti është që ata s’janë takuar dhe është një shans i humbur. Kemi pasur një vizitor dy javë më parë dhe e njëjta gjë ka ndodhur”.