Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kufizoi në vetëm tre herë propozimin të të njëjtit kandidat, mungojnë ende reagimet publike nga kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe nga kryetari i VV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në rrjetet sociale, Kurti e Haxhiu kanë qenë aktiv, por asnjë fjalë se kanë thënë për vendimin e Kushtetueses. Kurti dy ditë para se të dilte Kushtetuesja me vendim, kishte thënë se do ta respektonte vendimin.
Pa asnjë reagim është edhe ish-kryetari i Parlamentit, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca. Ai nga 29 qershori nuk ka qenë aktiv në rrjetet sociale, po ashtu edhe në deklaratat për media nuk ka qenë fort aktiv.
Gjykata Kushtetuese po ashtu ka shpallur të pavlefshme seancat parlamentare të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik, duke konstatuar se udhëheqësi i tyre, Avni Dehari, nuk ka respektuar aktgjykimin e mëhershëm të Gjykatës, transmeton lajmi.net
Sipas vendimit, afati për konstituimin e Kuvendit fillon të llogaritet nga momenti kur aktgjykimi i plotë publikohet zyrtarisht, duke lënë 30 ditë kohë për përmbylljen e këtij procesi.
E vetmja që ka reaguar deri më tani është Lëvizja Vetëvendosje në emër të partisë, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës si “devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve.
Ndërkohë, e heshtur dhe pa asnjë koment publik ka mbetur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila është një nga aktorët kyç në menaxhimin e situatave politike dhe institucionale./lajmi.net/