Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas shpërndarjes së informacionit se për lidhur me ankesën e Listës Serbe ndaj Gjykatës Kushtetuese është vendosur një masë e përkohshme deri më 30 shtator.
Sipas Kryeziut, kushdo që e ka nxjerrë këtë informacion me qëllim dezinformues “nuk ia do të mirën këtij vendi”, transmeton lajmi.net.
Ai sqaroi se masa e përkohshme ka dy funksione:
-
Një funksion përmbajtësor, për të mbrojtur rendin kushtetues nga veprime që mund të kenë pasoja serioze juridike.
-
Një funksion administrativ, për t’i qetësuar palët e përfshira në procedurë.
Kryeziu shtoi me kritika serioze:
“Në situatën që jemi, nuk ka as rrezik të përmbysjes së rendit kushtetues dhe as palë që duhet qetësuar. Masa e përkohshme jo vetëm që është e panevojshme, por, meqenëse e prolongon bllokadën, është akt kundër interesit shtetëror dhe kombëtar.”
Ai theksoi se, me konstituimin e Kryesisë—përfshirë kryetarin e Kuvendit dhe katër nënkryetarët— ka kuorum për funksionim, dhe nëse procedura përsëritet, zgjedhja e përfaqësuesit serb mund të bëhet edhe gjatë kësaj periudhe, nëse kandidati merr 61 vota. Në këtë kontekst, Kryeziu tha:
“Nënkryetari i Kuvendit gëzon privilegje të caktuara dhe ne nuk kemi asnjë obligim që t’i japim privilegje dikujt që nuk e respekton Republikën e Kosovës.”
Kryeziu përfundoi se sekuestrat e mandateve janë të pamundura, por privilegje shtesë nuk duhet t’u jepen pa merita shtetërore dhe respekt ndaj Republikës./lajmi.net/