Kryetari i Gjykatës Administrative ligjëron para studentëve të UP-së për funksionimin dhe kompetencat e gjykatës

Kryetari i Gjykatës Administrative të Kosovës, Kreshnik Kaçiu, mbajti ligjëratë informuese me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Gjatë ligjëratës u trajtuan çështje që ndërlidhen me funksionimin, organizimin dhe kompetencat e Gjykatës Administrative.
Në kuadër të ligjëratës, studentët u informuan lidhur me organizimin institucional të gjykatës, fushëveprimin e saj dhe kompetencat në trajtimin e çështjeve administrative, me theks të veçantë në rolin e saj në mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarëve.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët u theksua rëndësia e drejtësisë administrative në garantimin e mbrojtjes juridike dhe në ushtrimin e kontrollit gjyqësor në fushën administrative, në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
Ligjërata, ku ishin të pranishëm edhe profesorët e nderuar, Prof. Dr. Mirlinda Batalli dhe Prof. Dr. Islam Pepaj, ligjërues të së drejtës dhe procedurës administrative, shërbeu si mundësi për studentët që të thellojnë njohuritë teorike lidhur me drejtësinë administrative dhe të njihen më nga afër me rolin dhe funksionin e Gjykatës Administrative në sistemin e drejtësisë.

Lexo edhe22 vjet burgim për burrin që vrau fqinjin në Klinë
Bashkëpunimi me Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës synohet të vazhdohet dhe të avancohet edhe më tutje, në të ardhmen.
“Gjykata Administrative vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe mbetet e përkushtuar ndaj transparencës institucionale, informimit të publikut dhe avancimit të edukimit juridik, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe të mbrojtjes së të drejtave ligjore të qytetarëve”, thuhet në njoftim.














