Kuvendi i Kosovës po përballet me një tjetër ngërç institucional. Kryesia e Kuvendit, ndonëse ende jo e kompletuar, pritet të mbajë një mbledhje nesër (e hënë), me fillim nga ora 13:00, e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Kjo mbledhje vjen pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, përfaqësues nga komuniteti serb – një hap i domosdoshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të plotë të institucionit.
Megjithatë, dy partitë opozitare kryesore – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë takim.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar mbledhjen si të paligjshme, duke thënë se ajo nuk ka legjitimitet kushtetues:
“Jo, absolutisht, sepse konsiderojmë që çdo gjë që ndodh pas mbylljes arbitrare të seancës, pa konstituim të Kuvendit, është antikushtetuese. Nuk do të marrim pjesë,”, u shpreh Bajrami.
Në një qëndrim të ngjashëm, PDK ka deklaruar se mbledhja nuk ka kuptim dhe se nuk do të marrë pjesë në të, për shkak se Kuvendi ende nuk është konstituuar zyrtarisht./IndeksOnline/