Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar në lidhje me ndaljen e numërimit të votave në jug të Mitrovicës, si shkak i dyshimeve për vjedhje të votave.
Krasniqi tha se prej mbrëmë pas njoftimit nga komisionarët në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor kanë marrë të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.
Ai theksoi se shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe si të tilla po adresohen tek instancat përkatëse.
“Prej mbrëmë, menjëherë pas njoftimit nga komisionerët tanë në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve. Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse.Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.Në ora 12:00, në selinë e partisë do të kemi një konferencë për media për të bërë të ditura detajet dhe veprimet tona lidhur me këtë çështje”,tha ai, shkruan lajmi.net.
Krasniqi deklaroi se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë dhe se është e drejtë ligjore që dyshimet e ngritura të shqyrtohen me kujdes.
“Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse.Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”.
Si përfundim, Krasniqi deklaroi se vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë./Lajmi.net/