KQZ përshpejton procesin e numërimit, rezultatet përfundimtare priten së shpejti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, me synimin që rezultatet përfundimtare të publikohen sa më shpejt.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se institucionet zgjedhore janë të angazhuara intensivisht në përmbylljen e të gjitha procedurave të nevojshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet të cilat kanë për qëllim të shpallin në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor”, tha Elezi.
Ai sqaroi se rreth 58 mijë shtetas janë regjistruar për votim me postë, mirëpo procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar, ndaj nuk ka ende të dhëna të sakta se sa prej tyre kanë marrë pjesë në votim.

Lexo edheSuharekë: Vetura e qytetarit dëmtohet gjatë festimeve të Vitit të Ri
Po ashtu, Elezi njoftoi se numërimi i votave për kandidatët për deputetë po vazhdon në disa komuna të vendit, përfshirë Prishtinën, Pejën, Prizrenin, Podujevën, Gjilanin dhe Ferizajn.














