Leon Avdullahu është një prej emrave më të përfolur në ditët e fundit.
Ylli i ri i skuadrës gjermane TSG Hoffenheim, ende nuk ka vendosur për cilën kombëtare të luaj, të Kosovës, apo të Zvicrës, shkruan IndeksOnline.
Sipas raportimve, Avdullahu ka marr një ftesë nga selektori Franco Foda, për dy ndeshjet e muajit shator, ndaj Zvicrës dhe Suedisë.
E tifogrupi “Dardanët” i kanë bërë thirrje publike Leonit që të vesh fanellën e Kosovës.
Në Kosovë e shohin Avdullahun si një futbollist që mund të bëhet pjesë e një projekti të madh kombëtar. Në një kohë kur kombëtarja dardane po kërkon të konsolidojë sukseset e saj dhe të arrijë synime edhe më të mëdha, talenti, pasioni dhe forca e tij do të ishin një shtysë e jashtëzakonshme.
Një debutim i mundshëm kundër Zvicrës në Bazel do të kishte jo vetëm vlerë sportive, por edhe simbolike. Tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, tifozët dardanë dhe fëmijët që ëndërrojnë ta shohin një ditë në fushë me fanellën e Kosovës, janë në pritje. Për ta, të luash për Kosovën është më shumë se një ndeshje, është mision, është nder, është krenari, prandaj Leoni duhet ta ketë parasysh një gjë të tillë.
Fanella e Kosovës bart me vete historinë dhe sakrificat e brezave dhe çdo lojtar që e mban atë, përfaqëson ëndrrat e një kombi të tërë. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Leon Avdullahut shihet si shumë më tepër sesa një zgjedhje sportive. Kjo është një mundësi historike për të qenë pjesë e rrugëtimit të madh të Dardanëve.
Mesazhi i tifozëve është i qartë: Kosova po të thërret, Kosova po të pret. Vetëm te Kosova nuk je i huaj. Leon, ti je biri i kësaj toke dardane, thuaj ‘Po’ Kosovës.
Postimi i plotë i Dardanëve:
LEON, HAJDE ME LUANËT
LEON, Kosova është vendi i gjyshit e babit tënd, ti je shqiponja që Kombin e gëzon. Veq në Kosovë nuk je i huaj.
S’kemi bërë asnjëherë thirrje të tillë më herët. Por, kësaj radhe po bëjmë përjashtim. E shohim më se të arsyeshme. Kjo për faktin se kryefjalë është Leon Avdullahu.
Jo vetëm kaq. Nuk mund të heshtim përballë thirrjeve e tentimeve të kombëtareve të treta për ta marrë yllin tonë, Leonin. Leon do të thotë Luan. E Luani është i fortë vetëm tek kombëtarja që e përfaqëson. Aty ku çdoherë është i “Kosovës”, dhe jo siç thoshte Ozil: kur dështoja isha turk, e kur shënoja gjerman. Luani, këtu do të jetë gjithmonë luan. Mbret. Që mbrapa do ta ketë krejt “tufën” mbështetëse të Dardanëve për secilën lëvizje, edhe kur nuk do të ketë momente të mira.
Leon, mos harro: Këtu vlen. Këtu çmohesh. Këtu do të të duan pa interes.
