back to top
Friday, November 7, 2025
BallinaOpinioneKosova në udhëkryqin e saj më të madh

Kosova në udhëkryqin e saj më të madh

Të ngjajshme

Si e portretizon raporti i BE-së Kosovën si një ekonomi që funksionon pa busullë, midis rritjes ekonomike dhe një hendeku të kapaciteteve

Fadil Sahiti

Komisioni Evropian vazhdon të përsërisë mantrën e njohur: “dera është e hapur për anëtarësim, por doreza rrotullohet vetëm nëse tregoni se po ndryshoni”. Një ftesë e sjellshme për të hyrë në shtëpinë evropiane, por vetëm pasi të kemi riparuar shpirtin tonë ballkanik.

Në këtë skenë burokratike, Kosova duket si studenti i ri i zhurmshëm, me shumë energji por me pak disiplinë. Në teori, pas 17 vitesh shtetësie, duhet të kishim mësuar se zhvillimi nuk është çështje “imazhi në Bruksel”, por e aftësisë për të ndërtuar institucione që dinë të mendojnë, jo vetëm të ndjekin urdhra. Në praktikë, ne jemi ende aty ku ishim, duke kërkuar përkthyes për të kuptuar gjuhën e reformave që vetë i miratuam.

Raporti i Zgjerimit 2025 e përshkruan Kosovën si një ekonomi “me performancë dinamike”, me rritje të PBB-së prej 4.4%, përpara Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një sukses që Brukseli ia atribuon “sipërmarrësve të shkathët dhe konsumit të lartë vendas”.

Por pas kësaj gjuhe diplomatike qëndron një e vërtetë e hidhur. Rritja jonë ekonomike është një sprint në një pistë pa fund. Një ekonomi që lëviz, por pa një busullë institucionale. Duket sikur po vrapojmë për të mos u ndalur, sepse ndalimi do të na detyronte të shihnim se ku ndodhemi në të vërtetë.

Dhe se ku ndodhemi tregohet nga një frazë që thotë shprehimisht: “zbatimi i Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes është bllokuar për shkak të vonesave politike”. Kosova do të mbetet pa këstin e dytë të fondeve të BE-së, ndryshe nga vendet e tjera që kanë përfituar tashmë nga mbështetja e dytë financiare e Komisionit. Me fjalë të tjera, ekonomia po ecën, por shteti po ecën me paterica. Në një vend ku konsumi dhe remitancat zëvendësojnë prodhimin, “rritja” bëhet më shumë një ritual statistikor sesa një realitet zhvillimi. Dhe ndërsa raportet flasin për “stabilitet makroekonomik”, në terren nuk ka ndryshim strukturor në ekonomi. Kosova dhe firmat e saj vazhdojnë të operojnë në fund të zinxhirit global të vlerës së shtuar, duke eksportuar mallra dhe shërbime me pak inovacion dhe pa një bazë të fortë industriale. Në fund të fundit, ky është paradoksi i Kosovës: një vend që di si të mbijetojë, por jo si të zhvillohet.

Në epokën e ekonomisë dixhitale, zhvillimi nuk është një garë për të përkthyer direktivat, por një proces i ndërtimit të kapaciteteve reale për të vepruar, mësuar dhe përshtatur. Por Kosova e ka transformuar këtë proces në një art të rafinuar të “kryerjes së reformave”: shkruan një strategji, hap një zyrë, mban një konferencë dhe pret që BE të dërgojë fondet. Raporti e përcakton këtë me një frazë të butë, por therëse: “mungesë koherence në hartimin e politikave”. Në gjuhën e përditshme, kjo përkthehet si: çdo ministri jeton në flluskën e vet, dhe flluskat nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.

Në seksionin mbi arsimin, raporti tingëllon si një pasqyrë në të cilën ne ende refuzojmë ta shohim veten. “Papunësia e të rinjve dhe femrave mbetet shumë e lartë, ndërsa arsimi profesional nuk i përgjigjet nevojave të tregut të punës”. Në çdo vend tjetër, kjo do të ishte një kambanë alarmi. Ne e shohim si pjesë e rutinës vjetore – si moti në tetor: i ftohtë por i parashikueshëm.

Kosova shpenzon më pak se 0.2% të PBB-së për kërkim dhe inovacion – më pak se çdo vend tjetër në rajon. Kjo zbulon një realitet të zymtë. Në sistemin tonë arsimor, të rinjtë diplomohen, por nuk aftësohen. Në vendet fqinje, gjërat kanë lëvizur. Shqipëria po lidh arsimin profesional me bizneset; Serbia po investon në fonde inovacioni; Mali i Zi po mbështet programet STEM. Ne ndërkaq kemi mbetur me një sistem arsimor të fragmentuar, të politizuar dhe të shkëputur nga politikat industriale. Tek ne çdo reformë arsimore fillon me entuziazëm dhe përfundon me një raport pune. 

Në ndërkohë ofrojmë “zgjidhje ekspress”. U japim studentëve 100 euro; e paketojmë si kujdes social, edhe pse është një akt elektoral. Në vend që të investojë në cilësinë e universiteteve, laboratorëve apo lidhjeve me tregun e punës, qeveria zgjedh rrugën më të shkurtër drejt simpatisë publike. Një pagesë e vogël për një problem të madh. Në një shoqëri që ka nevojë për dije, 100 euro nuk janë ndihmë, janë kompensim për mungesën e vizionit. Është si të shpërndash qirinj në vend që të ndërtosh një termocentral.

Në fushën dixhitale, raporti njeh progresin – qasja në internet, shërbimet elektronike, startup-et që eksportojnë talente janë rritur. Por gjithashtu thuhet se “shteti nuk ka një strategji të integruar kombëtare për transformimin dixhital” dhe “kapacitetet e sigurisë kibernetike janë të pamjaftueshme”. Pra, kemi infrastrukturë pa institucione dhe teknologji pa logjikë. Në stilin orwellian, i bie sikur të “modernizosh aparatin pa modernizuar mendjen”. Ne ndërtojmë platforma online për të thjeshtuar qeverisjen, por sistemi politik mbetet po aq i errët sa më parë. Në letër jemi “dixhitalë”, në praktikë “manualë”. Dhe çdo “projekt pilot” përfundon si një skedar i harruar në ndonjë server institucional që askush nuk di si ta përdorë. Në një shoqëri ku dixhitalizimi bëhet dogmë, por jo kulturë, teknologjia bëhet një pasqyrë që pasqyron të njëjtin kaos analog. Dhe kështu, transformimi dixhital – si çdo reformë tjetër – bëhet një mënyrë e re për të maskuar mungesën e transformimit.

Raporti përfundon me një frazë që mund të shkruhej në një mur në Ministrinë e Financave. Thotë se “Stabiliteti ekonomik nuk mund të kompensojë mungesën e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e dobët”. Një e vërtetë e thjeshtë. Kjo tregon se problemi ynë nuk është se nuk e dimë se çfarë kërkohet prej nesh; problemi është se nuk kemi aftësitë për të bërë atë që kërkohet prej nesh. Dhe mungesa e kapaciteteve nuk është më vetëm një dobësi – është një gjendje normale.

Si përfundim, raporti duket se u thotë kosovarëve (që ende jetojnë këtu) se keni energji të mjaftueshme ndërmarrësie, por nuk keni një shtet zhvillimor; keni ide, por jo institucione; keni aspirata, por jo arkitekturë. Duket se na thotë se duhet të ndryshoni, të kaloni nga farsa (të bëni sikur po bëni reforma për t’u dukur si BE) në transformim themelor (reforma që ndërtojnë aftësi dhe njohuri të vërteta).

Sepse në fund të fundit, zhvillimi nuk është çështje statistikash, por e aftësisë për të mësuar.

Dhe nëse nuk mësojmë nga gabimet tona, atëherë nuk jemi më një vend që ka mbetur prapa në rrugën drejt BE-së; por një vend që, si në një univers orwellian, pret integrimin në një të ardhme që nuk vjen kurrë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz