Kosova ndalon fluturimet nga Italia e Veriut pasi atje ka shpërthyer koronavirusi
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vinë nga Italia e Veriut, për shkak të koronavirusit
Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e këtyre fluturimeve.
“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Lexo edheNë vend të tiketave, Policia sot dhuron lule për gratë
Abdixhiku ka shtuar se është në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe atë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të koordinuar kontrollin në Aeroportin “Adem Jashari”.
“Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar Abdixhiku./GazetaExpress/














