“Kosova është në rritje”, trajneri i Sllovenisë flet për gjasat e Dardanëve për të shkuar në Botëror

Kosova do ta nisë edhe zyrtarisht gjatë javës tjetër eksperiencën e saj në kualifikimet e Botërorit 2026.
Dardanët do të përballen fillimisht me Zvicrën në udhëtim më 5 shtator, në kuadër të Grupit B, ndërsa tri ditë më vonë, më 8 të muajit që vjen, do ta presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gjithashtu, pjesë e këtij grupi është edhe Sllovenia, me të cilën Vedat Muriqi me shokë do të përballen vetëm në muajin tetor.
E selektori i Sllovenisë, Matjaz Kek ka folur sot në konferencë për shtyp për grupin në të cilin bën pjesë edhe Kosova, ndërsa trajneri slloven ka folur edhe për “Dardanët” dhe për gjasat e tyre për garën që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e Meksikë.
“Nuk shoh asnjë ekip në grup që nuk e mendon kualifikimin. Por, nuk është asnjë Kombëtare që tashmë e ka siguruar kualifikimin në Botëror. Shumë do të varet nga Sllovenia, ekipi duhet të jetë i vërteti. Vetëm kështu mund të mendosh për Kupën e Botës”, u shpreh fillimisht trajneri i njohur.
“Pas një eksperience aq pozitive në Kampionatin e fundit Evropian, nuk mund të thuash që synimi është të jemi në vendin e tretë apo të katërt, ndonëse edhe kjo mund të ndodhë në këtë grup”, shtoi ai.

Lexo edheBusquets bën tifo për Dembelen: Shpresoj që e fiton Topin e Artë, ka qenë më i qëndrueshëm…!
“Kosova është në rritje. Suedia ka emra të mëdhenj, sidomos në sulm, dhe Zvicra, që është gjithnjë e pranishme, e ka mënyrën e saj të lojës dhe gjithnjë befason për të mirë. Është grup që ta jep mundësinë për të bërë diçka, nëse e shfaq më të mirën dhe nëse lojtarët japin çdo gjë. Dhe këtë e kanë bërë së fundi”, përfundoi Kek.
Kosova dhe Sllovenia do të përballen mes vete më 10 tetor në Prishtinë, kurse loja e kthimit do të luhet në Lubjanë më 15 nëntor.
Natyrisht, favorite e grupit është Zvicra, por pa gjasa në letër nuk mbeten as Suedia, Sllovenia e Kosova.
Siç dihet, fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, kurse i dyti luan në fazën e “play-off”-it.














