Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se Serbia nuk mund të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian pa bërë reformat e nevojshme, duke theksuar se qëndrimi i Brukselit është i qartë – rruga evropiane kërkon përkushtim real dhe rezultate konkrete nga autoritetet serbe.
Në një intervistë për televizionin publik slloven, Kos u shpreh se megjithatë, vendimi për të ardhmen evropiane të Serbisë nuk është vetëm në dorën e Komisionit Evropian.
“Prioritet i Komisionit Evropian është që Serbia të qëndrojë në rrugën evropiane, por nuk mjafton që këtë ta themi vetëm ne. Serbia duhet të ndërmarrë një sërë reformash për të dëshmuar se e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian,” tha Kos.
Komisionerja sllovene vuri në dukje se është në kontakt të vazhdueshëm me shoqërinë civile në Serbi, e cila shpesh ndjehet e braktisur dhe e zhgënjyer nga procesi i integrimit evropian dhe nga qëndrimet e dyfishta të liderëve të BE-së ndaj Beogradit.
Lidhur me buxhetin për zgjerim, Kos sqaroi se BE ka siguruar fonde të mjaftueshme për vendet kandidate, por kushtëzimi mbetet i fortë.
“Në këtë periudhë shtatëvjeçare buxhetore kemi para të mjaftueshme për vendet që janë aktualisht kandidate. Por fondet do të varen nga përmbushja e reformave. Ndërkohë kemi të rezervuara 100 miliardë euro për Ukrainën – për procesin e anëtarësimit dhe rindërtimin e vendit,” shtoi ajo.