back to top
Thursday, December 18, 2025
BallinaLajmeKompania e ministrit Abrashi, është zënë me dokumente false në Doganë (Dokument)

Kompania e ministrit Abrashi, është zënë me dokumente false në Doganë (Dokument)

Të ngjajshme

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sherri i vodkës ruse nuk i ka punët mirë me ligjin. Kompania e tij “Laris Group” SH.P.K. ishte zënë nga Dogana e Kosovës, pasi kishte falsifikuar dokumentacion për import të vodkës Primakov.

Abrashi është importuesi kryesor i kësaj pije për Kosovën, ndërsa del se jo gjithherë importon me dokumentacion të rregullt.

Gazeta Fjala dhe portali Infokus kanë siguruar dokumentacionin që dëshmon se kompania e Abrashit kishte tentuar të fsheh vlerën reale të këtij produkti, duke deklaruar fatura të rrejshme në doganë.

Zyra Doganore në Pejë në vitin 2012, pasi kishte konstatuare se kompania po importonte këtë produkt me çmim nën vlerën reale të tregut, kishte marrë vendim të ngre bazën doganore. Por, “Laris Groupn SH.P.K. ishte ankuar duke thënë se dogana kishte gabuar duke mos ua pranuar faturën e deklaruar dhe e kishte dëmtuar kompaninë me vendimin për ngritjen e çmimit bazë me rastin e importit të mallrave me akcizë. Kjo ankesë është vlerësuar si e pabazë nga dogana.

“Zyra doganore Pejë ka vepruar drejtë kur ka kontestuar vlerën e mallit, pasi vlera e deklaruar e mallit të deklaruar për zhdoganim nuk është vlera reale e paguar për mallin me qëllim të importit në vendin tonë, për arsye se është deklaruar vlerë më e vogël se vlera reale e paguar apo që ka për t’u paguar për mallin e shitur për eksport, përkatësisht për import në vendin tonë”, thuhet në vendimin e doganës së Kosovës.

Dogana, në shqyrtimin e provave ka konstatuar se kompania e Abrashit nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të kundërshtuar vendimin e marrë.

Madje edhe fatura të cilën e kishte deklaruar në doganë ishte e pavulosur nga kompania eksportuese si dhe nuk ishte vërtetuar nga shteti eksportues.

“…fatura nuk është lëshuar nga prodhuesi, por nga ndërmjetësuesi. Në shkresat e lëndës mungon kontrata e shitblerjes në mes eksportuesit dhe importuesit në të cilën do të përcaktoheshin çmimet e mallit. Nuk ka paraqitur pro faturën për të cilën subjekti ka bërë pagesën e mallit, nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për mënyrën e porosisë së mallit, po ashtu nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për transferet bankare…”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.

Përveç kësaj, në dokumentet e kompanisë “Laris Group” nuk ka ofruar dëshmi se vendi i ngarkimit të mallit është i njëjti që është deklaruar në letër. Sipas doganës, ai nuk korrespondon të jetë i njëjtë.

Gazeta Fjala dhe portali Infokus, kanë provuar të marrin një përgjigje nga ministri Abrashi lidhur me aktivitetet e kompanisë së tij, por ka qenë e pamundur të kontaktohet.

Tashmë Agjencia Kundër Korrupsionit ka përfunduar hetimet ndaj ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, për të cilin është raportuar së përveç dy posteve qeveritare – ministër dhe zëdhënës i qeverisë – ai ka në pronësi edhe një kompani private, “Laris group” sh.p.k e cila përveç tjerash merret me tregti me shumicë të pijeve. Por, AKK ka konstatuar se nuk ka konflikt interesit në këtë rast.

Kompania “Laris Group” Sh.p.k., e ministrit Abrashi, e regjistruar me 29.06.2011, merret më dhjetëra aktivitete biznesore, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra: duke filluar nga tregtia me shumicë e pijeve, ambalazhim, prodhim të energjisë elektrike, ndërtim të objekteve banesore dhe jobanesore, instalime elektrike, instalime të tjera ndërtimore, punime suvatimi, aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e makinerive, pajisjeve industriale, anijeve dhe aeroplanëve, tregtia me shumicë jo e specializuar dhe aktivitete të tjera. /Gazeta Fjala/Infokusi/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz