Komandanti i Forcës të sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Shefin e J5/8 të Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Brigade Chris A. McKinney.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit të dy gjeneralët kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe USEUCOM-it, si dhe për nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Gjeneral Jashari e ka njoftuar homologun amerikan për zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së, duke u fokusuar edhe në planet strategjike dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Në takim është vlerësuar edhe kontributi i FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku pritet që së shpejti të dislokohet kontingjenti i parë i ushtarëve të Kosovës.
Në fund të takimit, Gjeneral McKinney ka falënderuar Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe lidershipin e tij, duke ritheksuar përkushtimin e USEUCOM-it për të mbështetur FSK-në edhe në të ardhmen, në fazën finale të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së. /Lajmi.net/