Klosi s’përgjigjet për kanionin e Holtës, Ceka: Dorëhiqu dhe ço në prokurori “atë” që po mbron

Ish Ministri e ish deputeti Neritan Ceka është përplasur me Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, i cili deklaroi se fajin për HEC-in që po ndërtohet në Kanionin e Holtës në Gramsh e ka Sali Berisha.
Të dy politikanët janë përballur në emisionin “Open” në Top Channel, nga ku fillimisht ka folur Klosi.
Kur Ministri Klosi është pyetur drejtpërdrejt për përgjegjësinë e qeverisë për HEC-in në Kanionin e Holtës, ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje, por ka vijuar me argumentin e kahershëm dhe të preferuar të Ramës, se “fajin e ka Saliu”.
“Sali Berisha ka thënë që do të ndërtojmë HEC-e në zonat më të bukura të vendit. Kanioni sot është pothuajse pa ujë sepse Berisha ka dhënë disa leje në vazhdimësinë e një çmendurie të madhe”, tha Klosi.
Në kundërpërgjigje, Neritan Ceka u shpreh se dukshëm Klosi nuk po gënjen. Madje ish deputeti tha se Ministri i Mjedisit po mbron dikë, por do të ishte e drejtë që ai të jepte dorëheqjen nga posti.

Lexo edhe“Sa të madh e ke”, zbulohen mesazhet në Instagram të 20-vjeçares dhe babait të 3 fëmijëve që sollën vrasjen
“Klosi nuk është i sinqertë, kërkon të mbrojë dikë. Unë po të isha ministër do të jepja dorëheqjen ose atë “dikë” do ta çoja në prokurori. Duhet të përfundojë historia ku të gjithë bëjnë gjëra dhe askush nuk merr përgjegjësi”, shtoi Ceka.
Më tutje Neritan Ceka është shprehur se kauza e mbrojtjes së kanionit të Holtës do të “kapet” nga Edi Rama, ashtu siç ndodhi me protestën e studentëve.
Neritan Ceka tha në emisionin Open me Eni Vasilin se shumë shpejt kryeministri Edi Rama do ta marrë edhe kauzën e mbrojtjes së kanionit të Holtës.
“Mendoj se, siç bëri me protestën e studentëve, Edi Rama do ta marrë për vete edhe kauzën e mbrojtjes së kanionit të Holtës… Ne qeverisemi nga njerëz që nuk e duan vendin e tyre”,-tha Ceka.














