KEK-u reagon para protestës së sindikatës: Kërkesat e punëtorëve do t’i shqyrtojmë pas stabilizimit të situatës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar lidhur me paralajmërimin për protestë nga njëra prej sindikatave të punëtorëve, duke thënë se kërkesat e tyre janë diskutuar në takimet e zhvilluara mes Bordit, Menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikalë.
Në një komunikatë për media, KEK-u ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë mbajtur dy takime me dy sindikata, në kuadër të dialogut social, ku janë diskutuar çështje që lidhen me mirëqenien dhe kërkesat e punonjësve, transmeton lajmi.net.
Sipas Korporatës, menaxhmenti është zotuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e punëtorëve, varësisht nga mundësitë financiare.
KEK-u ka përmendur edhe masat e ndërmarra gjatë vitit 2026, duke bërë të ditur se në prill punëtorëve u është ndarë bonus prej 300 eurosh, ndërsa paga bazë është rritur për 60 euro për secilin punonjës.
Megjithatë, sipas komunikatës, njëra nga sindikatat ka vendosur të mos e vazhdojë dialogun me punëdhënësin dhe ka paralajmëruar organizimin e një proteste.
Korporata ka theksuar se e respekton të drejtën e punëtorëve për organizim sindikal dhe protestë, por ka kërkuar që të merret parasysh rëndësia e KEK-ut si pjesë e infrastrukturës kritike të vendit.
“KEK Sh.A. është pjesë vitale e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës dhe se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me këto përgjegjësi”, thuhet në komunikatë.
Lexo edheKurti takohet me Macronin në Paris, kërkon mbështetjen e Francës për statusin e kandidatit në BE
Duke iu referuar situatës aktuale në sektorin energjetik, Korporata ka thënë se prioritet duhet të jetë përfundimi i projekteve kapitale, modernizimi i kapaciteteve prodhuese dhe ruajtja e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe nxjerrja e thëngjillit në minierë.
Sa u përket kërkesave të punëtorëve, KEK-u ka paralajmëruar se ato do të trajtohen pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operative.
“Menaxhmenti i KEK-ut mbetet i përkushtuar që, pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operacionale, të përqendrohet në shqyrtimin e mundësive konkrete për adresimin e kërkesave të punonjësve”, thuhet në reagim.
Në fund, Korporata ka përsëritur se trajtimi i kërkesave sindikale duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mundësitë financiare të ndërmarrjes, duke theksuar se sfidat aktuale kërkojnë angazhim të përbashkët të punëtorëve dhe menaxhmentit./lajmi.net/






