Korporata Energjetike e Kosovës ka përmbyllur procedurat e prokurimit për furnizim me kufitarë dhe pajisje elektrike, duke ndarë kontratën në dy pjesë për operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Sipas njoftimit zyrtar, tenderi kishte të bënte me furnizim me kufitarë dhe senzorë, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte 50 mijë euro, shkruan IndeksOnline.
Pjesa e parë e kontratës, që ka të bëjë me furnizim me kufitarë, i është dhënë operatorit ekonomik “BF ENERGY”, me seli në Prishtinë. Vlera e kësaj kontrate arrin në 4 mijë e 258 euro e 97 centë.
Ndërkaq, pjesa e dytë e tenderit për furnizim me frenues elektrik i është besuar kompanisë “Profitech SH.P.K.”, po ashtu nga Prishtina, në vlerë prej 37 mijë e 880 euro e 36 centë.
Në të dy pjesët e tenderit kanë konkurruar gjithsej gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa kriter për përzgjedhjen e fituesve ka qenë oferta me çmimin më të ulët.
Kontratat janë dhënë më 8 maj 2026, ndërsa nënshkrimi i tyre pritet të realizohet më 20 maj./IndeksOnline/