back to top
Wednesday, March 11, 2026
BallinaLajme“Kam dhimbje në kokë dhe mos i tregoni nënës”, në rigjykimin për...

“Kam dhimbje në kokë dhe mos i tregoni nënës”, në rigjykimin për aksidentin me fatalitet, dëshmitarët tregojnë si ishte gjendja e viktimës

Të ngjajshme

Në Gjykatën Themelore në Pejë, në rigjykimin ndaj Eraj Temaj i akuzuar për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës si pasojë e të cilit kishte vdekur 23-vjeçari J.T., u dëgjuan dy dëshmitarë Atifete dhe Leon Zekolli, të cilët treguan se si e kishin parë tani të ndjerin kur kishte ndodhur rasti dhe në çfarë gjendje ishte.

“Kam dhimbje në kokë dhe mos i tregoni nënës”, dëshmitarët tregojnë për gjendjen e viktimës pas aksidentit në Shtupel të Klinës

Dëshmitarja Atifete Zekolli tregoi se e ka parë tashmë të ndjerin J.T., duke u rrëzuar nga vetura. Tha se atë kohë kishte qenë duke u kthyer nga puna me bashkëshortin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kishin qenë dy vetura, BMW dhe Golf, në mes të rrugës duke shkuar të shtëpia. Kishin qenë rreth 3-4, 5 veta, pastaj Golfi na e lëshoi rrugën, kur kemi nisur pak të ecim, BMW-ja është nisur edhe ulur ka qenë J. Për momentin vetura jonë është ndalur, por dritat kanë qenë ndezur. Bashkëshorti ka qenë duke folur në telefon me shefin dhe kur është nisur BMW-ja me has, ai djali është rrëzuar edhe unë në atë moment kam bërtitur, bashkëshorti më tha ‘Çka u bë’, unë thash ‘U rrëzu qaj djalë prej kerrit’”, tha dëshmitarja.

Ajo thotë se kishin dalë nga vetura dhe shkuan të shohin se çka është bërë.

“Jemi bashkuar krejt edhe kanë ardhur këta tre vetat, pastaj u kthyen Eraji dhe Murati, ndërsa personat tjerë s’i kam njohur dhe jemi munduar t’ia japim ndihmën e parë. J., është rrëzuar me kokë, është përplasur”, është shprehur Zekolli.

Ndërsa, Kumrije Temaj- nëna e të ndjerit, si palë e dëmtuar, pati pyetje për dëshmitaren.

“A është e vërtetë se unë kam ardhur tek shtëpia jote dhe ti më ke thënë se “Në rast se çohet J.. unë kam me i hangër burg gjashtë muaj sepse s’e kam dhënë deklaratën si duhet?”, pyeti Temaj në drejtim të dëshmitares Zekolli.

“Jo, nuk është e vërtetë. Por, në fakt e dëmtuara ka ardhur te unë dhe më ka thënë ‘për rize të Zotit, drejtësinë du me ma tregu. Si ka qenë puna e djalit tim?’. Unë i kam thënë “Djali t’u ka rrëzuar”, u përgjigj Zekolli.

Nëna e të ndjerit e pyeti dëshmitaren lidhur me disa shufra për të cilat pretendon se dëshmitarja i kishte treguar paraprakisht.

“A është e vërtetë se ju më keni thënë se në bazë të dritave të veturave i keni parë duke i nxjerrë shufrat nga bagazhi i veturës dhe i kanë fshehur, a është e vërtetë?”, vazhdoi me pyetje Temaj.

Por, dëshmitarja Zekolli u përgjigj shkurt me “Jo, nuk është e vërtetë”.

Lidhur me dëshminë e Atifete Zekollit, nëna e viktimës pati vërejtje, me arsyetimin se nuk e tha të vërtetën.

Dëshmitari i radhës, Leon Zekolli tha se ishte në shtëpi kur kuptoi se çfarë ndodhi.

“Kam qenë i shtrirë në shtëpi, kam qenë i sëmurë. I kam dëgjuar disa hapa duke vrapuar në oborr. Kur kam dalë jashtë në ballkon e kam parë Beharin i cili ka qenë duke marrë ujë tek unë, ashtu në çorape kam vrapuar drejt rrugës dhe e kam parë J.. e shtrirë për toke dhe djemtë duke i jep ndihmë. Murati, Behari, Smajli i kam parë duke ua dhënë ndihmën, në ato momente ka ardhur edhe Eraj me veturën e tij, i cili ka ardhur dhe i ka jep ndihmë”, tha ai.

Zekolli tregoi para gjykatës se ka qenë i pranishëm në veturë derisa J.T., po dërgohej në Klinë për trajtim mjekësor.

“Këmbët i kanë lëvizur, por s’ka pasur vetëdije. Rrugës për në spital, J.. i ka ardhur vetëdija. Është ulur normal si pasagjer, e kam pyetur “J., çfarë u bë”. Veç më ka thënë “Kam dhimbje në kokë dhe mos i tregoni nënës”. Kur kemi shkuar në spital, na ka shtyrë me dorë duke thënë “S’ka nevojë, eci vetë”, deklaroi Zekolli.

Nëna e të ndjerit, përsëri pati pyetje për dëshmitarin, duke i thënë nëse i kujtohet që ishte takuar me të në Klinë derisa djali i saj ishte atje.

“Unë me të dëmtuarën nuk jam takuar në Klinë, por e njëjta ka ardhur tek shtëpia jonë edhe i kam treguar të njëjtin rast. As s’i kam thënë se ka qit shkumë apo gjak”, ka deklaruar Zekolli.

“I kam thënë pashë Zotin, tregoma të vërtetën. Më ka thënë “Ka qit shkumë për goje dhe gjak”, insistoi për përgjigje e dëmtuara Temaj.

Edhe për këtë dëshmi të dëshmitarit, Kumrije Temaj dha vërejtje, duke thënë se nuk e ka treguar të vërtetën.

Rasti është deleguar në Gjykatën Themelore në Pejë nga dega në Klinë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet në muajin prill.

Eraj Temaj ishte dënuar nga Themelorja më 23 nëntor 2024 me dy vite burgim pasi është shpallur fajtor për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës ku kishte vdekur 23-vjeçari J.T.  Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T  humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz