Një lajm i hidhur sot ka goditur Drenicën, pasi njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Çikatovë, Xhafer Veliu mbylli sytë përgjithmonë nga kjo botë, transmeton Drenica Press.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ndërruar jetë në orët e mëngjesit të sotëm dhe i është dhënë lamtumira e fundit nga qindra qytetarë.
Lajmin për vdekje e kanë bërë të ditur familjarë të viktimës.
Xhafer Veliu ishte një nga dy të mbijetuarit e vetëm të masakrës së Çikatoves së epërme. Para 19 viteve, më 30 prill 1999, ai po qëndronte para vdekjes së tij përballë dhjetëra ushtarëve serb duke pritur në rendin prej 32 personave për t’u pushkatuar.
“Zoti ka deshtë e kam jetu”, pati thënë kur u pyet, gjatë një interviste me të, se si arriti të shpëtojë.
Afro 100 persona u vranë atë ditë në Cikatovë, baca Xhafer nuk pati fatin të jetë ndër ta. Por djali i tij 13 vjeç Shyqriu po. Baca Xhafer, një ndër dëshmitarët e krimeve të brigadës së motorizuar të gjeneralit Ljubisha Dikovic në Drenicë, nuk arriti të jetojë që të përjetojë drejtësinë për fëmijën e tij të humbur, e ta laj fajin me të cilin jetonte vetëm për faktin se ai jetojë më gjatë se Shyqriu i tij i vogël.
Sot vdekja do ta bashkojë me të. Duke mbyllur kështu edhe një mundësi që krimet e luftës në Kosovë ndaj shqiptarëve nga regjimi serb të dokumentohen e dëshmohen para drejtësisë.