Ademola Lukman, të kthyer përsëri në dispozicion të bergamaskëve, pasi Interi u tërhoq përfundimisht nga gara për të siguruar kartonin e tij. Lojtari ishte “zhdukur” 15 ditë më parë duke bojkotuar stërvitjet e klubit, i bindur se kështu do t’i mbushte mendjen Atalantës që ta shiste te milanezët.
Por Atalanta refuzoi çdo ofertë që i erdhi nga rivalët në kampionat dhe vazhdon të shpresojë ta shesë jashtë Italisë, pasi pret oferta nga klubet angleze. Kështu, Lukman u detyrua të kthehej sot përsëri në stërvitje te Atalanta, i ndërgjegjshëm që nuk mund të detyrojë klubin ta transferojë ku dëshiron ai.
Atje i është komunikuar një masë disiplinore, pasi është gjobitur për mungesën e pajustifikuar për 15 ditë, si dhe faktin që në këtë periudhë kohore kishte shkëputur plotësisht marrëdhëniet me klubin duke mos iu përgjigjur drejtuesve. Do të jetë një gjobë model për lojtarin, i cili ka thyer në mënyrë të dukshme kontratën e tij.
Përveç kësaj, për dy javët e ardhshme, ai do të stërvitet veçmas, me një program stërvitor dhe përgatitës atletik personal për të gjetur formën e tij, pa u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës. Kësisoj, Lukman nuk do të luajë në dy javët e para në Serinë A dhe nëse nuk do të gjendet një klub për ta transferuar, do të kthehet në ekip ndoshta vetëm pas pauzës së kombëtareve.