Ambasadat më me ndikim në Kosovë ajo e SHBA’së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë kanë arritur të stopojnë së paku përkohësisht shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Strategjia e tyre duke punuar me partitë opozitare LDK dhe VV funksionoi të premten ndërkohë që të shtunën tek Haradinaj 5 ambasadorët dorëzuan një demarsh me kërkesë të qartë që të ndalet kjo përpjekje. Por a ka përfunduar gjithçka?
Një ditë pasi kanë arritur ta ndalojnë përpjekjen e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, e Kadri Veselit për ta nxjerrë në rend dite në Kuvendin e Kosovës shfuqizimin e Gjykatë Speciale, pesëshja e ambasadorëve kanë shkuar në zyrën e Kryeministrit ku kanë dërguar një demarsh – kërkes të qartë që të ndalen përpjekjet për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Haradinaj ka thënë se top diplomatët e akredituar në Kosovë kishin kërkuar një takim me liderët por që vetëm ai i kishte pritur. Nuk u dha ndonjë shpjegim pse në takim nuk ishin Veseli e Thaçi.
Sido që të jetë fitorja e përkohshme bashkësisë ndërkombëtare, të cilët arritën t’i bindin VV’në e LDK’në që të mos ua bëjnë kuorumin dy herë Kryesisë së Kuvendit, mund të sfidohet gjatë janarit kur do të ketë përpjekje të reja të Thacit që ta shtyjë përpara iniciativën e tij.
Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri në një postim rreth kësaj cështjeje ka thënë se ai ka informacione se përpjekja për ta shfuqizuar këtë ligj do të vazhdojë gjatë janarit. Po ashtu, dje gjatë ditës deputeti i PDK’së Nait Hasani i cili ka qenë i angazhuar në mbledhjen e 43 nënshkrimeve të deputetëve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme, ka thënë se ligji për Gjykatën do të shfuqizohet.
“Alternativa është krijimi i gjykatës në vend dhe trajtimi i të gjitha rasteve të krimeve të luftës” ka thënë ai.
Ramush Haradinaj ndërkaq të shtunën mbrëma ka dalë me shpjegime se cfarë i kanë thënë ambasadorët.
“Ishte demarsh, quhet kjo formë e prezantimit të institucionit ose demarsh i qartë me e ndalë procesin e votimit të shfuqizimit të ligjit për Specialen. Pra ishte e pastër kërkesa”, kishte thënë shefi i Qeverisë.
Ai ka thënë se shfuqizimi i ligjit do të ketë pasoja për vendin, por ka potencuar se nëse ndodhë kjo për të ligji do të ishte punë e kryer.
Sido që të jetë, muaji janar pritet ta bëjë të qartë nëse partitë e koalicionit do t’ia dalin kësaj përpjekje sikurse që do ta bëjë të qartë se sa janë marrë seriozisht “kërcënimet” e Washingtonit dhe Brukselit?


