back to top
Friday, August 22, 2025
BallinaLajmeJa si u krijua Prekazi i Skenderajt?

Ja si u krijua Prekazi i Skenderajt?

Të ngjajshme

Zbatimi i ujdisë: Fëmijët përfitojnë nga bashkëpunimi Comodita-UNICEF

Para një muaji është nënshkruar një marrëveshje mjaft e...

Rasmus Højlund kërkon largimin nga Man United vetëm me klauzolë blerjeje të detyrueshme

Sipas gazetarit të njohur italian, Fabrizio Romano, sulmuesi danez...

Eseja e javës/ Michael Blake: A duhet të jetë presidenti lider moral

Michael Blake është profesor i filozofisë, sigurisë publike dhe qeverisjes...

Në Prekaz të Epërm varri mbi treqindvjeçar i Prekë Kuçit

Gjurmëve të identitetit tonë të lashtë kombëtar

Sot, më 15 Tetor 2016, me djalin e axhës, Nasufin, ia mësymë Prekazit të Epërm. Dhe, para xhamisë, objekti i se cilës deri më 1938 kishte qenë selia e Komunës së Prekazit, na priste kushëriri ynë, profesori i filozofisë dhe shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi. Kohë më parë kishim lënë  një takim të tillë pune gjurmimi e hulumtimi. Kaherë e kam thënë dhe e kam vërtetuar së, i pari ynë, pra i fisit Kuç të Drenicës, ka qenë Prekë Kuçi, nga i cili mori emrin Prekazi. Ai, diku kah fundi i shekullit 17 apo fillimi i shekullit 18, e themeloi këtë vendbanim. Emri Prekaz u krijua nga format thirrore të emrit Prekë: “I Prekajve”, “Prekaj”, “Prekas”, “Prekuç”, “Prekaz”. Kisha dëgjuar se i dihet edhe varri, por unë nuk e kisha parë dhe nuk e dija se ku gjendet. Dhe, gjatë zhvarrimit të eshtrave të nënës së Azem Galicës, Nënë Sherifes me bija e mbesa, më 18 Gusht 2016, në bisedë me Blerimin, mora vesh se ai, në bazë të rrëfimeve të pleqve e të parëve të tij,e dinte saktë atë varr.

Vendvarrimi i Prekës dhe Licës

Kështu që, sot, mbase i erdhi radha konkretizimit të kësaj nisme të mbarë, e cila lë të shërbejë si gur i parë i një ngrehine më të madhe për shënjimin e këtij përkujtuesi mjaft të rëndësishëm të historisë sonë…

Dhe, ç’të shohësh?!

Një oazë qetësie hyjnore, një lugajë në formë konike, një fole zanash. Në fund të saj, një si bunacë e ligatinë butësie, gufonte gurgullueshëm uji bilur. Një kompleks i mbërthyer livadhesh, si gërshetë nimfash, rrethuar me ara gjatoshe e, aty-këtu, ndonjë copë mali si baloshë larushe. E gjithë kjo brenda një emri: ATAVA.

Tej, lart në kodër, në një arë djerrinë, një dardhë dredharake dhe gjysmë e tharë. Aty, tek rrënjët e saj, dikur moti kishte qenë trualli i të parëve të Prekazit…

Në të mëngjër, po në një arë të papunuar moti, pronë e pasardhësve të Ahmet Delisë, nën hijen e dy dardhave të egra, njëra e tharë fare, e midis ferrave kulumbrie e drizave përzier me lule, pushonin dy varre të vjetra e gati të mbuluara nga tisi harrestar. Aty ishin paqësuar këtu e më shumë së tre shekuj më parë, dy shpirtrat e të parëve të fisit Kuç të Drenicës, Preka e Lica. Ja edhe gurët e zverdhur nga  myshqet e të mbuluar nga bari…

Gurët e varreve gati të mbuluar

Dhe, tek sodisnim kujdesshëm ata gurë që dëshmonin lashtësinë e etnitetit tonë kombëtar, në vesh më oshtinin ca si zëra të mekur lashtësie:

…Dikur moti, këtu erdhi e u ngulit Preka me një nipi të vetin, me Kolën, djalin e Bibës, i cili kishte ngelur në betejën e Kuçit në Mal të Zi. Një vëlla ishte ndalur në Bërjakë të Kolashinit e shumë anëtarë të tjerë ia kishte ngrënë lufta kundër anadollakëve. Me të kishin ardhur edhe dy vëllezër: Obri e Luta. I pari, Obri, zuri vend pak më tutje dhe e formoi Obrinë, ndërkaq tjetri, Luta, që ishte punëtor i madh, u vendos në Lug të Baranit, në Lutogllavë.

-Do të të martojë edhe njëherë, o baca Prekë, – i tha një ditë Kola si për mahi të ungjit, Prekë Kuçit.

-Jo, biro jo, tashti po u afrohem të gjashtëdhjetave!- qeshi ai, pa e marrë seriozisht fjalën e nipit, i cili ishte edhe shakaxhi i madh.

Por, jo, ai kësaj radhe e kishte pasur me gjithë mend. Dhe, doli në kodrat përballë vendit ku sot shtrihet fshati Klinë e Eperme. Në një arë, po lëvronte me qe Marku. Ashtu, shpat me shpat, malësorçe, ndërruan ca llafe: “O Mark, a ma jep motrën Licë për bacin Prekë?”. “Po e pyes babëlokun!”. Dhe, pas pak, del nga kulla e ia lëshon një zë: “O nipi i Prekës, na qoftë për hair miqësia. Eja në kullë dhe na e sjell një dash të pjekur e një bucelë raki”.

Kështu, koha rridhte lumë e  shtëpia e Prekës rritej e zgjerohej me djem e vajza e me nipa e mbesa…

Një ditë edhe Kola u largua nga këtu. Kaloi disa kodra më tutje, atje në lindje, në shkrepat bri Qyqavicës dhe e krijoi vendbanimin e ri me emrin Galica…Aty pranë, në perëndim, u ndal edhe një nip, ku zuri embrion Tërnafci…Por, mos harroni, të gjitha këto vendbanime: Prekazi, Galica, Obria, Tërnafci dhe Lutogllava, edhe pse u shpërndanë, gjithmonë e ruajtën këtë lidhje e afërsi gjaku dhe kurrë nuk martohen mes veti…Kështu na erdhi rrëfimi i parë, përcjellë nga tregimtari e pleqnari i shquar Hazir Lutfiu (1895-1980).

…Preka me të shoqen, Licën, ishin të fundit që dhanë shpirt si të krishterë, andaj e lanë porosi që të varroseshin këtu të vetmuar. Bile, Preka kishte vdekur shumë më herët. Fëmijët e shumtë i rriti Lica.  Ata, me radhë u konvertuan në fenë e re, në islam, e ajo jo. Vdiq e krishtere dhe u varros pranë të shoqit,- na vegohen edhe zëri tjetër i rrëfimtarit të dytë, Bajram Haziri, djali i Hazirit

***

-Është mirë që këto dy varre të rregullohen e këtu në ballë të tyre të vihet një pllakë përkujtimore. Janë të rralla rastet që vendbanimeve u dihen themeluesit dhe u ruhen varret e tyre, por Prekazi e kishte këtë fat- thotë Blerimi, i cili këto rrëfime i kishte dëgjuar sa e sa herë si fëmijë atypari, duke më kthyer në vete nga ajo botë, e ruajtur vetëm nga kujtesa popullore, e ku kisha tretur si në humbëtirën e pafund.

Autori i shkrimit dhe Blerim Latifi

-Kjo është një punë e mrekullueshme dhe nuk duhet pritur as edhe një ditë,- u zbraza unë si me gurgule, i entuziazmuar nga kjo mrekulli. Nuk ishte pak: Një dëshmi kaq e vjetër e etnisë sonë! Një dëshmi se sa i pafuqishëm ka qenë pushteti turk në Drenicë. Një dëshmi se sa suksesshëm u kemi rezistuar asimilimeve të pushtuesve të përtej Dardaneleve. Këtë e sforcojnë edhe toponimet që flasin vetë: Livadhi i Kolbibës në Galicë, Guri i Kuq në Abri, Arat e Kishës në Lagjen Mehaj të Prekazit, etj.

Blerim Latifi midis kushërinjve galicas Bedri e Nasuf Tahiri

Pra, shkurt e shqip, kjo nismë e mbarë, duhet përkrahur nga të gjithë vullnetmirët. Këto janë shenjat e identetit tonë real, që na rrëfejnë se cilët ishim dhe nga duhet të ecim si shtet, si komb dhe shoqëri.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz