Praga, kryeqyteti i Çekisë, qe shumë kohë është i njohur për turistët. Por, është i pëlqyer edhe nga vizitor të tjerë: Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani.
Gazetarët e KRIK-ut, Qendrës çeke për gazetari hulumtuese (CCIZ), kanë zbuluar se dhjetëra kompani nga Praga janë në lidhje direkte me kriminelët e fuqishëm ballkanikë, të cilët fitojnë të holla me tregti të drogës, me vrasje të porositura dhe trafikim të duhanit.
Disa nga këto ndërmarrje merren me biznese të lojërave të fatit dhe kontrollojnë kazinot në mënyrë zinxhirore, tjetra ekziston vetëm në letër – pa zyre, raporte financiare apo çfarëdo të dhëna zyrtare lidhur me punën.
Gazetarët e KRIK-ut dhe CCIZ-së, kanë biseduar me personat të cilët kanë themeluar këto ndërmarrje për grupet kriminale. Ata u kanë thënë gazetarëve se kompanitë janë të shfrytëzuar në mënyrë që kriminelët e Ballkanit të fitojnë qëndrim në Bashkimin Evropian.
Ligji çek u lejon qytetarëve të cilët janë udhëheqës të kompanive të fitojnë leje qëndrimi në këtë vend, rrjedhimisht ata fitojnë leje qëndrim në BE. Grupet kriminale të Ballkanit kanë shfrytëzuar emigrantët e vendeve të tyre që të krijojnë strukturat biznesore fiktive për ata.
Së paku gjashtë grupe kriminale të Ballkanit qëndrojnë në Pragë: Grupi i Darko Shariqit, Andrija Drashkoviqit, Milan Narançiqit, Borislav Pllavshiqit, familja e Qazim Osmanit dhe mafiozë të tjerë shqiptarë.
Në vendet e tyre ata njihen si njerëz të nëntokës. Disa akuzohen për kontrabandim droge, të tjerët të akuzuar për vrasje. Aktiviteti i tyre biznesor lidhet me tregtinë e kokainës dhe heroinës, trafikimin e duhanit dhe me anë të lojërave të fatit.
Çekia është një vend i rregulluar logjistik i grupeve të ndryshme të Ballkanit për transportim të drogës që nga vitet 1990, ashtu edhe sot, sipas informacioneve të policisë çeke.
Çdo javë, së paku një dërgesë droge në vlerë prej disa miliona eurove kalon nëpër këtë vend në rrugën drejt Gjermanisë, thotë Hinek Vlas, ish-polic dhe shefi i njësitit për luftën kundër krimit të organizuar (UOOZ).
“Këto grupe shfrytëzojnë Çekinë si bazë logjistike, sepse anëtarët e tyre shumë lehtë fitojnë leje-qëndrim në atë vend”, thuhet në raportin vjetor të njësitit të luftës kundër drogës të policisë çeke të vitit 2012.
“Kompania me vite mund të jetë joaktive pa frikën se do të dënohet, kështu që ata e shfrytëzojnë këtë mundësi”, raporton nezavisne.com.
Privilegjet
Emri më i njohur në listën e kriminelëve i cili ka biznes në këtë vend është Darko Shariq.
Edhe pse jo shumë kohë më parë ai ishte gjykuar me 20 vjet burgim për shkak të tregtisë së 5.7 tonë kokaine nga Amerika Jugore për në Evropë, besohet se pjesët e grupit të tij kanë mbetur të paprekura dhe se janë akoma aktive.
Shariq ka qenë prijësi i organizatës narkotike dhe rrallëherë ose asnjëherë nuk ka dalë publikisht në lidhje me drogën, thonë organet hetuese. Ka qenë në raporte të mira me politikanët e fuqishëm në Serbi, ku edhe ka jetuar dhe në Malin e Zi ku kishte lindur.
Anëtarët kryesorë të grupit të Shariqit ishin arrestuar në operacionin “Luftëtar i Ballkanit” në vitin 2009 e iniciuar nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA), Prokuroria serbe për krimin e organizuar, Administrata amerikane në luftën kundër drogës (DEA) dhe policisë së disa shteteve të Amerikës Jugore. Shariq ishte dorëzuar në vitin 2014.
Gjurmët e Shariqit janë të lehta për tu përcjellë, por janë të vështira për tu dokumentuar. Në janar të vitit 1998 me tetë persona të tjerë kishte marrë nën kontroll ndërmarrjen “Solimba” në Pragë, në një adresë që nuk ekziston.
Personi që ishte i ngarkuar të nënshkruajë dokumentacionin dhe të themelojë këtë firmë është Milka Shtepankova. Gazetarëve u ka thënë se në Pragë kishte ardhur në vitin 1993 duke ikur nga lufta në ish-Jugosllavi.
Kompania u themelua për anëtarët e grupeve kriminale, pjesërisht se ishin anëtarë të unionit ballkanik dhe pjesërisht sepse ishte një bashkëshorte e viktimizuar e cila u abuzua, u kishte shpjeguar gazetarëve.
“U vendosa në Pragë me dy fëmijë të vegjël. Kam qenë shtatzënë”, ka thënë ajo.
“Kam ardhur me ish-bashkëshortin Zoranin. Jemi mbështetur në përkrahjen e organizatës sonë. Për atë arsye kurrë nuk parashtroja shumë pyetje”, ka thënë ajo.
Ajo nënshkruante dokumente me anë të të cilave firma u themelua, sepse frikësohej nga bashkëshorti. Ai e rrihte atë.
Shtepankova u ka thënë gazetarëve se nuk kishte ditur që Shariq kishte qenë bos i organizatës narkomane kur i kishte ndihmuar për hapjen e firmës.
“E njoh nga Pljevalji, qytetin e punës tonë. Gjithmonë linte përshtypje se është një djalosh i mirë, por edhe pak fshatar”, rrëfehet ajo.
Ajo tregon se me Shariqin u takua në vitin 1993, kur erdhi për të nënshkruar disa dokumente dhe se nuk e kishte parë më asnjëherë.
Avokati i Shariqit, Radovan Shtrbac, është i akuzuar në Serbi se ka ndihmuar Shariqin për larje parash dhe se kishte shpërndarë informacione të ndjeshme nga policia për ta ndihmuar organizatën e drogës. Gazetarëve u ka thënë të njëjtën gjë.
“Qëllimi ishte që t’i afrohemi Evropës sa më shumë, të fitojmë qëndrim edhe atje dhe të lëmë privilegjet e caktuara të cilat i kanë ndërrmarjet evropiane”, u ka thënë Shtrbac gazetarëve të KRIK-ut.
Kompania “Solimba”, kurrë nuk ka dhënë ndonjë raport financiar ose vjetor, vërteton Shtepankova.
Firma “Tim Trade”, me Arsa Shariqin si prijës.
Në familje
Edhe një tjetër ndërmarrje ballkanike u ka ndihmuar kriminelëve të hapin firmë në Pragë. Ratko Shkoriq dhe djali i tij Misha kanë lejuar që me adresat e tyre të regjistrohen disa prej firmave të cilat i posedonin bashkëpunëtorët e Shariqit.
Familja Shkoriq ka regjistruar ndërmarrje në Modërzhani, para-lagje e Pragës, në të cilën dominojnë ndërtesa të larta tipike për arkitekturën e kohës socialiste. Në këto ndërtesa parashihej që të jetonin familjet e reja. Këtu Goran Sokoviq, bashkëpunëtor i afërt me Shariqin kishte hapur kompaninë “VUK-SOK Company” në njërën prej tre banesave në pronësi të familjes Shkoriq. Sokoviq është edhe më tutje në arrati.
Ndërsa kushëririt të Shariqit, Arsu Shariqit, i cili është i gjykuar me 5 vjet burg për transportim të 20 kilogramë heroinë në vitin 2007, i ka ndihmuar poashtu familja Shkoriq.
Vetëm një muaj para se të arrestohej në 2010-ën, Arso kishte hapur ndërmarrjen “TIM Trade Praha”, në banesën e Mishe Shkoriq. Pas arrestimit, ai e ka përcjellë pronësinë e kompanisë mbi 4 shtetas indian.
Gazetarët kanë kontaktuar me Ratko Shkoriqin dhe e kanë pyetur për Shariqin. Ai e ka pranuar se njeh, ndërsa duke kërkuar falje për gjendjen shëndetësore e ka ndërprerë lidhjen.
Djali i tij, Misha Shkoriq, ka hapur derën kur gazetarët trokitën, ndërsa në pyetjen lidhur me firmën “TIM Trade”, ka thënë se për të nuk ka dëgjuar kurrë.
Edhe një tjetër anëtar i kartelit ballkanik të kokainës, Boshko Nediq, ka pasur kompani në Pragë. Nediq ka qenë bashkëpronar i kompanisë “Man-Co”, sipas informacioneve të policisë. Partneri i tij ka qenë Vitomir Bajiq, poashtu anëtar i organizatës-narkotike të Shariqit.
Nediq ka qenë njëri prej njerëzve kryesor degës italiane të grupit të Shariqit. I ka ikur arrestimit në Itali dhe iku në Amerikën Jugore. Snajperisti Bajiq u arrestua në Malin e Zi dhe u ekstradua në Itali nën akuzat se ka trafikuar kokainë. Në burgun italian ka kryer vetëvrasje në vitin 2011.
Frizerja
Andrija Drashkoviq është edhe një fytyrë tjetër e njohur e “nëntokës” ballkanike dhe ka lidhje në Pragë. Ka qenë i akuzuar në Itali për shkak të përfshirjes në trafikimin ndërkombëtar të cigares, në të cilën përfshihet edhe kryeministri malazez Milo Gjukanoviq.
Ai kishte vuajtur burgim për shkak të vrasjes së Zvonko Pleqiqit, një tjetër anëtar i grupeve kriminale. Ata kishin probleme mes vete, ndërsa ky pas disa kërcënimeve e ka vrarë atë.
Në Pragë ai ka regjistruar kompaninë “Mizzora”.
Mafia shqiptare
Ismet Osmani i ashtuquajturi Curi, nga Mitrovica ka hapur ndërmarrjen “Dafina” në Brno, qyteti i dytë më i madh në Çeki, e cila gjendet 100 kilometra larg nga Vjena. Kjo firmë për një kohë të gjatë ka qenë joaktive, por në gusht të vitit të kaluar Osmani kishte shitur pjesën më të madhe të aksioneve shokut të tij, Nikola Kuzhninjit.
Ata jetojnë në të njëjtën shtëpi në Brno. Në adresën e njëjtë jeton edhe Pjetër Nikolaj, ish-nënkryetar i bordit drejtues të
“Paradise Casino Admiral”, rrjetit të 20 kazinove të cilët i takojnë grupit “Novomatic” nga Austria.
Nikollën e ka arrestuar policia gjatë operacionit “Titanium” në nëntor të vitit 2003. Qëllimi i operacionit ka qenë shkatërrimi i degëve të trafikimit të drogës, të cilët i drejtonte Faton Gashi.
Feliks
Qazim Osmani- Feliks e ka fituar nofkën sipas fatit të tij legjendar në bixhoz- milioni i parë i markës gjermane, siç thotë ai, e ka fituar në kazino. Osmani, i cili është i lindur në Kosovë, ka një dukje të “playboy”it dhe shpesh shkruhet për lidhjet e tij me këngëtaret serbe.
Qazimi është në të gjithë biznesin e familjes Osmani, e vlerësuar prej më shumë se 400 milionë euro. Me vëllezërit e tij drejton kazino, klube të natës dhe lokale të lojërave të fatit në të gjithë Evropën. Në Pragë është bashkëpronar i një rrjeti prej 20 kazinove “Banco Casino”.
Osmani dhe vëllezërit e tij shumëherë kanë qenë material i hetimit dhe hulumtimit për dhunë, prostitucion, mashtrim, shpëlarje parash, trafikim të drogës, thuhet në njoftimin e Shërbimit Informativ Federal të Gjermanisë (BND) kopjen e të cilit e kanë gazetarët e KRIK-ut dhe CCIZ-it./lajmi.net/