Kukësi është kampion i Shqipërisë për sezonin 2016/17
Kukësi ka arritur ta mposht rivalin direkt, Skënderbeun, për ta fituar titullin e kampionit për herë të parë në histori të klubit.
Ndeshja që u zhvillua në “Zeqir Ymeri”, përfundoi 2:0 në të mirë të vendasve, mysafirët luajtën me dy lojtarë më pak, pasi u ndëshkuan me të kuq Mici dhe Osmani.
Ernest Gjoka dhe disa prej lojtarëve të Kukësit, folën për Supersport, pas shpalljes kampion të Shqipërisë:
Ernest Gjoka: “Arritëm ta finalizonim me sukses dhe më në fund arritëm që t’i jepnim këtë trofe këtij qyteti. Ja dedikoj gjithë çunave, presidentit dhe të gjithë njerëzve.”
Hallaci: “Sigurisht që është një mund pesë vjeçar, një sakrificë e madhe e ka merituar ky qytet një titull kampion. Sot i treguam të gjithëve që këtë titull e meritonin.”
Shameti: “Mendoj se është kulmi i karrierës sime ky titull dhe jam krenar që fitova trofeun me këtë skuadër. Ky titull i shkon djalit tim, çunave dhe presidentit që ka bërë një investim pesë vjeçar.”
Pero Pejic: “Gola shënuar në momentin më të mirë për mua, por jo vetëm për mua por dhe për ekipin e presidentin. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Jemi kampionë.”
Rrumbullaku: “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, falënderojmë të gjithë tifozët dhe duam të festojmë të gjithë bashkë. Erdhi kjo ditë që të festojmë kampionatin. Ishte objektivi më i madh dhe besoj se do të vijnë ditë më të mira për Kukësin.”
Izair Emini: “Jam shumë i kënaqur, pasi në një vit e gjysmë kam fituar Kupën, Superkupën dhe kampionatin dhe i përgëzoj të gjithë çunat për këtë titull.”
Albi Alla: “Donim ta mbyllnim këtu kampionatin dhe besoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë, kishim kontrollin e lojës dhe ishte një ndeshje e përgatitur shumë mirë. Nuk dua të merrem me arbitrat, por ishte një ndeshje e bukur dhe nuk besoj se duhet të qëndrojmë te gjyqtari”.