Itali, fillon samiti i vendeve të G7-tës

Në qytezën Taormina të Italisë ka filluar Samiti i G7-tës i cili tubon liderët e shtatë vendeve të industrializuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Liderët e Bashkimit Evropian dhe G7-tës, e cila përbëhet nga SHBA-të, Gjermania, Britania, Japonia, Franca, Kanadaja dhe Italia, janë takuar në Samitin 43-të të Liderëve të G7-tës. Ata në samit janë pritur nga kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni.
Duke shpërndarë një video-mesazh me homologët e tij para samitit, kryeministri Gentiloni ka thënë se, “Nuk do të jetë lehtë, por nga G7-ta do të përpiqemi të arrijmë rezultate. Fryma e Taorminas mund të na ndihmojë ta gjejmë rrugën e vërtetë”.
Nga ana tjetër, shefi i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, lidhur me samitin është shprehur se, “Pa dyshim, më i vështiri është samiti i G7-tës. BE do të bëjë çdo gjë që të arrihet një marrëveshje”.
Temë diskutimi, terrorizmi dhe siguria
Në dy seancat e para të sotme, liderët e G7-tës do të diskutojnë lidhur me çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe sigurinë. Pas sulmit terrorist në qytetin e Manchesterit në Britani, palët do të bisedojnë lidhur me luftën kundër terrorizmit e posaçërisht kundër organizatës terroriste DEASH, si dhe lidhur me çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë.
Po ashtu, temë diskutimi pritet të jenë edhe provat raketore të Koresë së Veriut, zhvillimet në Lindjen e Mesme, kriza e refugjatëve, si dhe aktivitetet e Rusisë në Siri dhe Ukrainë.
Lexo edheSerbi, qindra besimtarë falin namazin e xhumasë në faltoren e rrënuar
Në seancën e fundit të ditës së parë, liderët do të vlerësojnë edhe ekonominë botërore dhe çështjet lidhur me zhvillimin e vazhdueshëm.
Dita e parë e samitit do të përfundojë me koncertin e Orkestrës së Filarmonisë La Scala në amfiteatrin antik.
Pas koncertit, liderët e G7-tës do të marrin pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella.
Liderët do t’i përfundojnë punimet me seancën e fundit gjatë ditës së nesërme.
Ndërkaq, në kuadër të masave të sigurisë, qendra e qytezës Taormina, ku do të mbahen seancat e ditës së parë, janë mbyllur tërësisht për qarkullim. Në çdo rrugë dhe cep të qytezës vërehet nga një ushtar dhe polic.
Për shkak të masave të rrepta të sigurisë, gazetarët dhe banorët e Taorminës lejohen të futen në qendër të qytetit pasi kalojnë në dy pika kontrolli.














