Në një deklaratë publike gjatë një takimi elektoral në Prizren, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mubera Mustafa, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për kryetarin aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj, duke theksuar se për të njëjtat arsye që e kishte votuar para katër vitesh, do ta votojë sërish edhe këtë herë.
“Unë, me ju thënë të drejtën, edhe pse vota është e fshehtë, edhe herën e kaluar e kam votu z. Shaqir Totaj për disa arsye. Po e bëj publike për herë të parë, se kurrkush s’e ka pasë guximin me më pyet, as unë s’e kam hapë këtë temë. Për të njëjtat arsye e votoj prapë,” ka deklaruar Mustafa.
Ajo ka numëruar disa nga arsyet e mbështetjes së saj për Totajn:
“Së pari, e di që z. Shaqir Totaj është njeri i shkolluar, me përvojë dhe që ka punuar pastër gjatë gjithë karrierës së tij. E dyta, ndalet me njerëz rrugës, shkon pa truproje, lëviz me biçikletë dhe kjo më pëlqen shumë. E treta, e dimë që nuk ka pasur nevojë me hy në politikë për me u pasuru. Unë e konsideroj ashtu, prej këndit tim,” ka theksuar ajo.
Në të njëjtin takim, Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka falënderuar qytetarët për disponimin dhe përkrahjen që kanë treguar në të gjitha takimet e fushatës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të pranueshmërisë së qeverisjes lokale.
“Disponimi i mirë edhe pranueshmëria e qeverisjes lokale, me mënyrën qysh kemi funksionuar, me angazhimin në terren, me aktivitetin e simpatizantëve, të aktivistëve e të vullnetarëve, shndërrohet në votë — edhe kjo ka ndodhur. Prandaj, është një falënderim, edhe tash ju lus me ia dhënë një duartrokitje vetvetes,” ka thënë Totaj.
Takimi është pritur me entuziazëm nga të pranishmit, duke reflektuar besimin dhe energjinë pozitive që shoqëron fushatën e PDK-së në Prizren në prag të rundit përfundimtar të zgjedhjeve.