Irak, zbulohet një varr masiv afër Mosulit

Një varr masiv është zbuluar në afërsi të qytetit Mosul, ku ushtria irakiane ka përshpejtuar operacionet për ta çliruar atë plotësisht nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH.
Sipas pretendimeve, në këtë varr masiv mund të jenë groposur kufomat e rreth 4 mijë personave.
Varri masiv në fjalë, menjëherë jashtë rrugës interurbane Mosul-Bagdad dhe vetëm 8 km larg qendrës së Mosulit, ka shumë gjasa që të jetë ai më i madhi i shkaktuar nga terrori i DAESH-it në Irak.
Dëshmitarët okularë, që janë prononcuar për gazetën britanike “The Telegraph”, një nga të paktat që kanë mundur të futen në këtë zonë tashmë nën kontrollin e forcave irakiane të sigurisë, theksojnë se shumica e viktimave janë ekzekutuar dhe hedhur brenda gropës.
Gjithnjë sipas dëshmitarëve okularë, personat e masakruar nga DAESH-i i kanë pasur të lidhura jo vetëm duart, por edhe sytë, ndërkohë që në këtë zonë janë sjellë me minibusë, kamionë dhe mjete të tjera.

Lexo edheNjë i vdekur dhe dy të plagosur nga sulmi me veturë në Gjermani
Mendohet që kjo masakër mund të jetë kryer andej nga fundi i vitit 2014.
Siç bën të ditur e përditshmja “The Telegraph”, organizata terroriste ka filluar ekzekutimin e policëve dhe ushtarëve të marrë peng rreth 6 muaj pas pushtimit të Mosulit.
Më datë 10 qershor 2014, DAESH-i vuri tërësisht nën kontroll qytetin irakian në fjalë.
Ushtria irakiane, forcat peshmerge të qeverisjes rajonale kurde në veri të Irakut dhe Garda e Ninevës, shumica e të cilëve janë trajnuar nga kontingjenti ushtarak turk në Kampin Bashika, filluan më datë 17 tetor operacionin e shumëpritur për çlirimin e Mosulit nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH. /trt/














