IPKO ka realizuar një donacion në vlerë prej 20 mijë Euro për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe të ambientit të qëndrimit për ekipet që çdo ditë dhe çdo natë janë në shërbim të qytetarëve.
Ky investim vjen si një shenjë respekti për punën e jashtëzakonshme të zjarrfikësve dhe një kontribut modest për kushte më të mira pune për ekipet që janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve.
Përmes këtij investimi, janë rinovuar hapësirat e kujdestarisë ditore dhe të natës, është pajisur kuzhina me inventar të ri, janë vendosur mobilie dhe ulëse të reja, si dhe janë përmirësuar hapësirat administrative dhe zonat e pushimit për stafin. Po ashtu, janë siguruar edhe 5 kompjuterë të rinj për përmirësimin e punës administrative dhe menaxhimit të përditshëm të brigadës.
Për ekipet që përballen çdo ditë me situata emergjente, kushtet më të mira të punës dhe të qëndrimit ndikojnë drejtpërdrejt në gatishmërinë, motivimin dhe efikasitetin e tyre në terren.
Ky donacion është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të IPKO Telecommunications për të mbështetur institucionet kyçe të sigurisë publike dhe për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës për shërbimet emergjente në vend.
“Një donacion jashtëzakonisht i vlefshëm për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë dhe për qytetin. Me rritjen e kapaciteteve të shërbimeve të sigurisë në kryeqytet, rritet edhe niveli i sigurisë për qytetarët. Ne do të qëndrojmë pranë kompanive që operojnë në Prishtinë, duke ofruar siguri dhe mbështetje për zhvillim të qëndrueshëm”, theksoi Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.
Ndërsa komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, theksoi se përmirësimi i kushteve të punës ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë dhe efikasitetin e ekipeve në terren.
“Ky donacion është një shenjë respekti për punën e jashtëzakonshme të zjarrfikësve dhe një kontribut modest për kushte më të mira pune për ekipet që janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve. IPKO do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet,” theksoi Afrika Zyferi, Drejtore e Marketingut dhe Komunikimit Korporativ në IPKO.
Me këtë mbështetje, IPKO shpreh mirënjohjen e saj për zjarrfikësit e Prishtinës dhe punën e tyre të palodhur, duke forcuar përkushtimin për të qëndruar pranë atyre që çdo ditë kujdesen për sigurinë e qytetarëve.
