Në databazën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, në galerinë e fotografive për Kalanë e Prizrenit është edhe një fotografi ku shihet qartë Xhamia në Kalanë e Prizrenit. Ky fakt duket i parëndësishëm për vetë Ministrinë e Kulturës, e cila asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme t’i përgjigjet Bashkësisë Islame në kërkesën e saj të parashtruara disa herë për rindërtimin e kësaj Xhamie.
Çështja e ndërtimit të Xhamisë në Kalanë e Prizrenit, nuk është çështje që është shtruar për diskutim rishtas. Kjo çështje si preokupim i Bashkësisë Islame, dhe jo vetëm i saj, në Prizren është shtruar fill pasluftës thotë për Gazetaere.com, sekretari i Bashkësisë Islame në Prizren Orhan Bislimaj “Na si popull, si Kosovë, filluam të frymojmë lirshëm, edhe të kujdesemi për identitetin kombëtar dhe fetar në këtë rast, për kulturën islame. E kush ma mirë do të duhej të kujdesej pos Bashkësisë Islame në territorin e vet?”.
Sipas dokumenteve Xhamia në Kalanë e Prizrenit është ndërtuar në shekullin XVI. Përkundër dëmeve që i ka pësuar, ajo ka qëndruar deri në luftën e parë botërore. “Edhe pas luftës së parë botërore Xhamia ka ekzistuar si objekt dhe dëmtimi i saj ka vazhduar sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Deri vonë kanë ekzistuar edhe muret mbi themele…” ka thënë ndër të tjera Bislimaj.
Deri në vitet e shtatëdhjeta muret e Xhamisë së Kalasë kanë qenë në gjendje të mirë. Muret kanë qenë në të njëjtën gjendje sikurse pjesa tjetër e strukturës së Kalasë. E lënë pa përkujdesje, nën presion të kushteve atmosferike, kanë pësuar dëmtime të mëdha. “Mbase dikush ia ka dhënë edhe një të shtyrë më shumë mureve të Xhamisë” shpreh dyshimin sekretari i Bashkësisë Islame në Prizren dhe shton: “Edhe sot kur po flasim atje lartë janë themelet e Xhamisë dhe muret pak të ngritura, me dimensione 7 me 7 (gjerësi dhe gjatësi), dhe me gjerësinë e mureve mbi një metër të gjëra…”
Bashkësia Islame e Kosovës në vitin 2010 për herë të parë e ka dorëzuar kërkesën zyrtare, drejtuar institucioneve më të larta shtetërore për rindërtimin e Kalasë. Asnjë përgjigje.
Në vitin 2014, kur Bashkësia Islame në Prizren e sheh se kanë filluar punimet në Kala përsëri iu drejtohet: Ministrisë së Kulturës, Kuvendit Komunal në Prizren, EULEX-it, ICO-së me kërkesë për ndërtimin e Xhamisë në Kalanë e Prizrenit.
“Të njëjtën shkresë ia kemi dërguar edhe sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzit, me shpresën se ai si prizrenas do të interesohet seriozisht për kërkesën e BI-së që është edhe kërkesë e qytetarëve të Prizrenit, që kalasë t’i kthehet drejtësia dhe të plotësohet në mozaikun e vet” tha sekretari Bislimaj.
Ai njofton se atë vit me nëntë dhjetor në vend të përgjigjes zyrtare një delegacion nga Ministria, nga Komisioni qendror për Monumentet e Trashëgimisë kulturore e që përbehej nga: Vjollca Aliu, Shafi Gashi, Osman Gojani, Enver Rexhja dhe Agim Gërguri dhe Samir Hoxha nga QRTK në Prizren, e kanë vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren, zyrtarët e të cilës i kanë njoftuar se në Kala po punohet në gërmime arkeologjike që do të përfundojnë në verën e vitit 2015 dhe zyrtarëve iu tha se BI përgjigjen do të ketë me të përfunduar të gërmimeve arkeologjike. Por kur as kjo nuk ndodhi Bashkësia Islame e me 12.05 2016 me kërkesë të re për ndërtimin e Xhamisë në Kalanë e Prizrenit, i drejtohet, Ministrisë së Kulturës, kryeministri Isa Mustafa dhe krye parlamentarit Kadri Veseli, Departamentit por Trashëgimi Kultuore, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve etj. Ne këtë kërkesë thotë Bislimaj si në të gjitha të tjerat, kemi argumentuar me fakte kërkesën për ta rindërtuar Xhaminë në Kala.
“Deri sot kur po flasim as nuk na ka kontaktuar askush dhe as nuk na kanë dhënë përgjigje. Ndoshta janë duke pritur të përfundojnë punimet që të na thuhet se po për momentin s’ka punime në Kala, që nuk do të ishte në rregull të veprohej kësisoj sepse shumë objekte në hapësirën e kalasë që fare nuk kanë pas as themele janë duke u rindërtuar ndërsa Xhamia jo…” tha Bislimaj.
“Nëse nuk do të ndërtohej asnjë objekt kish pas kuptim që edhe themelet e Xhamisë të konzervoheshin, por derisa ka filluar rindërtimi, të gjitha faktet na çojnë të ndërtohet Xhamia”. Me këtë argument të fundit ndërtimin e Xhamisë në Kala e kërkojnë dhe e arsyetojnë edhe njohësit e fushës, ndërsa në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, institucion ky, ku gjithashtu janë adresuar kërkesat për ndërtimin e Xhamisë së Kalasë, thonë se “të gjitha kërkesat i shqyrton Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”. I pyetur nëse QRTK ka mendimin e saj për ndërtimin e Xhamisë në Kalanë e Prizrenit, Jusuf Xhibo bashkëpunëtor profesional në QRTK shkurt u përgjigj. “Neve s’na pyet kush” që i bie që për gjithçka që bëhet në Kalanë e Prizrenit, prizrenasit nuk pyeten fare. /Gazetaere.com/