Inspektorati Qendror i Punës ka dalë sot në terren për të zhvilluar inspektime në biznese në tri komuna të vendit – Prishtina, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me fokus të veçantë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendet e punës.
Ky aksion vjen pas shqetësimeve të ngritura për numrin e lartë të aksidenteve me pasoja fatale në vendet e punës gjatë muajve të fundit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, ka deklaruar para mediave se qëllimi i këtyre inspektimeve është ngritja e nivelit të sigurisë dhe respektimi i standardeve ligjore në çdo vend pune, shkruan lajmi.net.
“Bizneset, subjektet afariste për ne janë partnerë, por partneriteti ka edhe obligime dhe respektim të normave ligjore. Në kuadër të kësaj ne po përpiqemi t’i ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet qartë respektimi i kushteve të sigurisë së punës për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Jashari.
Sipas të dhënave të fundit, situata mbetet shqetësuese, ku vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë humbur jetën tetë persona në vendet e punës. Rasti më i fundit është regjistruar një ditë më parë në Shtime.
Autoritetet kanë bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në punë dhe parandalimin e rasteve të ngjashme. /Lajmi.net/