Incident në Skenderaj, zëvendësministri Hysni Mehani raporton në Polici se u kanos derisa ishte duke ecur nga një person me Audi

Një rast i dyshuar i kanosjes është raportuar të shtunën në Skenderaj, ku cak i kërcënimit dyshohet se ishte zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Hysni Mehani, i cili njëherësh është edhe kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, incidenti ka ndodhur më 17 tetor, rreth orës 12:20, në rrugën “Idriz Rreci”, derisa Mehani po lëvizte në këmbë, transmeton lajmi.net.
Në bazë të deklarimit të tij në Polici, një person që po drejtonte një veturë të tipit Audi dyshohet se i kishte dalë përpara, kishte ndaluar automjetin dhe, pasi kishte hapur xhamin, e kishte kanosur.
Pas incidentit, personi ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Mehani, sipas raportimeve, nuk kishte arritur ta identifikonte atë në momentin e rastit dhe as t’i mbante mend targat e veturës.
Rreth orës 12:50, zëvendësministri ishte paraqitur në Stacionin Policor në Skenderaj, ku kishte raportuar rastin.
Sipas informatave të publikuara nga Sinjali, hetimet policore kanë çuar në identifikimin e personit të dyshuar, i cili është identifikuar si Agon Veliu, 46 vjeç. Ai më pas është paraqitur në stacion policor dhe është intervistuar nga njësia e hetimeve.

Lexo edheKongresmeni amerikan i bën thirrje qeverisë shqiptare të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione zyrtare lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar ndonjë përgjigje zyrtare.
Rrethanat e incidentit dhe motivi i kanosjes së dyshuar mbeten ende objekt i hetimeve./lajmi.net/












